Zëri i Amerikës: Ju ndodheni në Kosovë në një kohë kur janë duke u zhvilluar bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por ende nuk duket e afërt ndonjë marrëveshje. Sa janë realiste pritjet për ndonjë marrëveshje duke pasur parasysh përvojën e deritashme por edhe përvojën nga e kaluara?
Jessen-Petersen: Pikë së pari mendoj se është gjë e mirë që Kosova dhe Serbia po bisedojnë. Është e qartë se ky është dialog ndërmjet dy vendeve të pavarura, por është në të njëjtën kohë dialog ndërmjet dy fqinjëve. Jam i bindur se derisa ecim përpara, Serbia ka nevojë të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën, po aq sa edhe Kosova ka nevojë të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. Mendoj se dialogu është gjë e mirë. Jam pak dyshues sa i përket rezultateve të menjëhershme që do të ishin në interes të të dyja palëve. Më lejoni ta nënvizojë këtë, sepse mendoj që pavarësisht që quhen teknike, kam ndjenjën se Serbia me qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës e sheh këtë më shumë si dialog politik. Kur isha këtu, ne kemi bërë përpjekje të bisedojmë me Serbinë, të sigurojmë bashkëpunimin e saj për çështje ndërkufitare, por Serbia gjithnjë e shihte dialogun si çështje politike. Dhe ky është shqetësimi im. Por është me rëndësi që bisedimet kanë filluar, që Kosova u është qasur në mënyrë konstruktive, por po ashtu Kosova duhet të marrë udhëheqjen në çështje konkrete dhe jo vetëm të përgjigjet në kërkesat e Serbisë.
Zëri i Amerikës: Beogradi tashme ka artikuluar disa herë kërkesën për ndarjen e veriut të Kosovës, një kërkesë kjo e hedhur poshtë nga Prishtina. Cila është pikëpamja juaj? A mund të ketë vërtetë një ndarje të Kosovës?
Jessen-Petersen: Unë asnjëherë, në asnjë sekondë nuk kam besuar se kjo mund të ndodhë. Sepse, unë dua të besoj tek “lojtarët e mëdhenj” në komunitetin ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët që kanë përsëritur qëndrimin se nuk mund të ketë ndarje. Ky ishte një nga parimet e Grupit të Kontaktit mbi bisedimet për statusin e Kosovës. Gjithmonë kamë besuar dhe ende besoj, se kur vjen çështja tek veriu, më e mira do të ishte që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve evropiane, sepse e tërë ideja e integrimeve është që kufijtë të mos jenë domethënës. Dhe kur të orientoheni drejt një komuniteti më të gjerë, atëherë nuk ka shumë rëndësi sepse ai komunitet do të ketë mundësi që duke qenë në Kosovë, të ketë mundësi të lëvizë në vendet fqinje. Prandaj unë besoj se integrimet e gjera do t’i jap fund çdo synimi për ndarje. Kush do të donte të jetonte në një komunitet të vogël të mbyllur dhe pa kontakte me botën, nëse alternativa është një komunitet më i gjerë me liri të lëvizjes dhe mundësi ekonomike. Pra unë besoj se përgjigja për ato debate për ndarjen për të cilën disa në Serbi ende po flasin, është integrimi evropian. Unë në asnjë çast nuk besoj se ndarja mund të jetë rezultat i çfarëdo bisedimesh.
Zëri i Amerikës: Çështja e veriut të Kosovës ishte e hapur edhe në periudhën kur ju ishit shef i Misionit të OKB-së. Duke pasur parasysh zhvillimet e kësaj periudhe, a ka rrezik që kjo çështje të rrëshqasë në një konflikt të ngritë për një periudhë më të gjatë?
Jessen-Petersen: Mendoj se ka mundësi që gjendja të vazhdojë e tillë çfarë është edhe për disa vjet, siç thashë, duke pritur procesin që do t’i sjellë të dyja palët më afër integrimeve evropiane. Madje mendoj se vetë procesi do të jetë ndihmues, sepse, nëse Serbia, Kosova dhe njerëzit që jetojnë në veri, e dinë se janë në rrugë konkrete drejt integrimeve, atëherë ato çështje të vjetra që ende e rëndojnë gjendjen në veri, do të jenë thjeshtë të parëndësishme në botën e sotme. Mendoj se rreziku është që gjendja të vazhdojë, që do të vazhdojë të ketë tensione, por mendoj se koha është në anën e lëvizjes drejt integrimeve në një komunitet të shteteve.
Zëri i Amerikës: T’i kthehemi një çështjeje që ka të bëjë me imazhin e Kosovës. Ditëve të fundit Misioni i BE-së ka ngritur një grup punues për hetimin e pretendimeve për trafikim organesh, të ngritura në raportin e zotit Dick Marty. Çfarë mund të pritet nga ky hetim?
Jessen-Petersen: Do të doja të fillojë me imazhin. Unë e konsideroj veten si një mik të ngushtë të Kosovës. Menjëherë pas vendit tim, Danimarkës, Kosova është vendi që është më farë zemrës sime. Është e dhimbshme kur e shihni dikë që e doni duke iu dëmtuar dhe sharë në media, duke parë dikë që e doni me imazh të dëmtuar siç ka ndodhur me Kosovën në 6 deri 12 muajt e fundit, për shkak të Raportit të Martit, të disa raporteve amerikane të zbulimit të përmendura në media, problemet në zgjedhje dhe së fundi disa çështje me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, debateve për korrupsionin dhe krimin e organizuar, bastisjet etj. Unë isha këtu një vit më parë kur kishte bastisje dhe nuk kamë parë asnjë veprim. Imazhi i Kosovës ka pësuar dëme dhe kjo është e dhimbshme. Jo vetëm për miqtë e ngushtë, por në radhë të parë për njerëzit e Kosovës që nuk e meritojnë të kenë një imazh të keq. Unë jam takuar me presidenten dhe ajo më foli për rolin e saj në përmirësimin e imazhit dhe mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Unë besoj se ajo mund të luaj atë rol. Në fakt është në interes dhe unë i thashë se i vetmi lajmi i vetëm i mirë në mediat ndërkombëtare në 12 muajt e fundit, ishte zgjedhja e saj. Pra imazhi është një çështje e rëndësishme.
Raportin e Dick Martyt, nuk e kam lexuar. Dhe në asnjë çast nuk mund të besoj se ato që thuhen janë të vërteta. Ndoshta ka disa pretendime që kanë mbështetje. Sa kam marrë vesh nga miqtë e mirë që e kanë lexuar, ka shumë pretendime dhe shume pak prova. Por ajo që do të doja të shihja është që udhëheqësit e Kosovës ta mohojnë në mënyrë kategorike, por në të njëjtën kohë të thonë se është në interesin tonë që e vërteta të zbardhet dhe që do të bashkëpunojnë me hetimet. Kjo do të ndihmonte në imazhin e Kosovës. Po ashtu do të ishte me rëndësi që të ketë hetime për korrupsionin. Ka pasur bastisje, por ajo që është me rëndësi është të ketë veprime të dukshme.
Zëri i Amerikës: A ka Kosova gatishmëri të mjaftueshme për këtë luftë?
Jessen-Petersen: Unë jam tash vizitor dhe nuk jetoj këtu. Nuk mund të them se kjo apo jo zyrë apo organizatë po bën apo jo mjaft. Jam i sigurt se po punohet dhe nuk po e vë në pikëpyetje, por ajo që po them është se që nga maji i kaluar kur isha këtu, ende po flitet për korrupsionin në shkallë të lartë etj, por nuk kam parë veprime. Nuk mjafton vetëm të thuhet se jemi të përkushtuar të luftojmë korrupsionin. Njerëzit duan të shohin rezultate. Një, dy apo tri.
Zëri i Amerikës: Kur ishit shef i UNMIK-ut a jeni përballur me këtë dukuri dhe cilat ishin përmasat e tij?
Jessen-Petersen: Prandaj nuk dua të komentojë për atë se në çfarë njerëzit janë përqendruar sepse edhe në kohën time, edhe atëherë kur ishim të gatshëm të veprojmë, gjithmonë mund të dilte dikush, ndonjë organizatë që do të kundërshtonte në çastin e fundit planet qoftë edhe për të bërë ndonjë arrestim. Ju mund të thoni, injoroni këto kundërshtime. Nuk mund të flasë për hollësi, por ato mund të jenë të asaj natyre që ju nuk mund të zbatoni suksesshëm veprimin tuaj pa bashkëpunim.
Zëri i Amerikës: Zoti Jessen Petersen, Kosova është njohur nga një numër i vogël shtetesh pas vendimit të GJND-së vitin e kaluar ndonëse ishte pritur ndryshe. Ku mendoni se janë pengesat kryesore që nuk ka pasur një shtim njohjesh?
Jessen-Petersen: Në periudhën pas pavarësisë, Kosova fitoi njohjet më të rëndësishme. Nuk e di se çfarë strategjie kanë autoritetet në Kosovë, por e di se ajo ka nevojë për strategji për çdo vend. Pse një vend nuk ka interes për të njohur Kosovën, apo pse ka një interes për një gjë të tillë. Pra duhet një strategji të tillë për secilin. Kjo nuk bëhet vetëm më një vizitë duke u thënë se duhet të na njihni meqë jemi të mrekullueshëm. Pra tash jemi në një periudhë më të vështirë Tash, po kthehem mbrapsht, e kemi çështjen e imazhit. Nuk e di arsyen e vërtetë për problemet me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, por kjo nuk është mirë. Një nga gjërat më të mira pas pavarësisë ishte anëtarësimi në mekanizmat monetar ndërkombëtarë. Ishte e mrekullueshme dhe shumë njerëz kanë punuar shumë për këtë. Dhe tash kur jemi në përpjekje për t’ afruar me OKB-në dhe Bashkimin Evropian, dështojmë me një organizatë të madhe ndërkombëtare. Kam frikë se kjo mund të ndikojë në investime dhe në procesin e njohjeve. Pra. Imazhi është çështje me rëndësi, raporti i Martyt në të cilin nuk besoj në asnjë çast, por problemi është tek njerëzit që nuk kanë njohuri por dëgjojnë raportin dhe pretendimet serioze të tij. Kosova duhet të punojë shumë në imazhin e saj. Ajo kishte imazh të mirë. Mendoj në periudhën para luftës, luftën kundër okupimit, madje edhe periudhën e pavarësisë e cila u menaxhua shumë mirë. Por muajt e fundit ishin të vështirë dhe të gjithë udhëheqësit politikë kudo qofshin, duhet të jenë të përqendruar në këtë çështje.