Presidenti Donald Trump emëroi Jerome Powell në krye të Rezervës Federale. Ish-menaxheri i investimeve dhe anëtar i bordit qeverisës të bankës qendrore do të zëvendësojë Janet Yellen, mandati i të cilës mbaron në muajin shkurt. Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Powell do të ketë përgjegjësinë e mbikqyrjes së polikave monetare të Shteteve të Bashkuara dhe ruajtjen e stabilitetit të ekonomisë më të madhe të botës.
Janet Yellen do të largohet pas gati katër vitesh në detyrë si bankierja më e fuqishme në Amerikë, duke u zëvendësuar nga Jerome Powell. Presidenti Trump tha dje nga Shtëpia e Bardhë se ky është ndër postet e rralla publike me rëndësi të madhe.
“Është kënaqësi dhe nder të njoftoj emërimin e Jerome Powell si kryetar të ardhshëm të Rezervës Federale”, tha Presidenti Trump.
64-vjeçari Powell, një jurist republikan i njohur në Wall Street, ka një eksperiencë 5-vjeçare në Rezervën Federale. Janë të pakta gjasat që ai të veprojë shumë ndryshe nga paraardhësja e tij Yellen.
“Jerome Powell përfaqëson një lloj vazhdimësie të Janet Yellen. Ai ka shërbyer si anëtar i bordit të guvernatorëve dhe nuk ka votuar kundër vendimeve të zonjës Yellen”, thotë Greg McBride, i kompanisë “Bankrate.com”.
Por ndryshe nga zonja Yellen, zoti Powell kundërshton politikat e forta rregullatore. Në një fjalim muajin e kaluar, ai tha se “ligjet e shtuara nuk shërbejnë si përgjigje ndaj çdo problemi”. Por, lehtësimi i rregullave ka edhe rrezikshmëri.
“Për momentin nuk ka disbalanca të forta në ekonomi, por mendoj se do të shfaqen në vitet në vazhdim. Ekonomia po i afrohet pothuajse nivelit të plotë të punësimit dhe mendoj se një recesion i ardhshëm do t’i trondisë tregjet financiare”, thotë Ryan Sweet, i kompanisë “Moody’s Analytics”.
Sfidë e menjëhershme për zotin Powell do të jetë largimi nga normat e ulëta të tanishme të interesit. Duke qenë se ekonomia zhvillohet me cikle, analistët thonë se atij do t’i duhet të përgatitet për ciklin e pashmangshëm të rënies.
“Ka shumë gjasa që kreu i ri i Rezervës Federale të përballet me recesionin. Përmasat e recesionit, koha kur do të ndodhë, dhe mënyra e rimëkëmbjes ekonomike do të varet shumë nga kreu i Rezervës Federale”, thotë zoti McBride.
Ekonomistët i thanë Zëri të Amerikës se kreu i bankës qendrore ka ndikim të jashtëzakonshëm tek investimet globale, normat e interesit dhe nivelin e shpenzimeve në mbarë botën.