Japonia proteston ndaj vizitës së Medvedevit në ishullin e kontestuar

  • Zëri Amerikës

Japonia proteston ndaj vizitës së Medvedevit në ishullin e kontestuar

Japonia paraqiti një notë proteste, pasi presidenti rus Dmitri Medvedev shkoi në një ishull për të cilin të dy vendet kanë pretendime territoriale.

Zoti Medvedev u bë sot udhëheqësi i parë rus që viziton një nga ishujt e debatueshëm në një varg ishujsh që Rusia i njeh si Kurilet dhe Japonia i quan Territoret Veriore. Debati i acaron marrëdhëniet mes të dy vendeve pikërisht para se zoti Medvedev të marrë pjesë në një takim ekonomik që zhvillohet në Japoni.

Kryeministri japonez Naoto Kan tha se vizita e zotit Medvedev në ishullin Kunarishi është për të ardhur keq. Ndërsa ministri i jashtëm Seixhi Maehara e thirri ambasadorin e Rusisë, për t’i dorëzuar notën e protestës. Por ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se reagimi i Japonisë ishte “i papranueshëm” dhe se ishulli është territor rus.

Ambasadori rus Mihail Beli u tha gazetarëve se Rusia e konsideron vizitën si çështje të brendshme. Japonia ka kërkuar kthimin e ishujve, që nga koha kur ky territor u aneksua nga Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo kohë, kjo çështje ka qenë burim tensionesh mes të dy vendeve.