Itali, lojrat e fatit infektojnë gjithnjë e më shumë njerëz

italy

Lojrat e fatit janë tani një virus që është përhapur mjaft në Itali dhe që, si shumë dukuri të tjera ka prekur edhe vendin fqinj, Shqipërinë

Italia është bërë një treg i madh i lojrave të fatit, më i madhi në Evropë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, gjë që i ka dëmtuar shpenzimet e konsumatorëve në një kohë kur ekonomia po kalon nëpër një recesion të madh. Italia është ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës. Virusi i kumarit është përhapur mjaft, duke prekur edhe vendin fqinj me Italinë, Shqipërinë.

Në fund të janarit, në Itali do të fillojë tenderi i një mijë lejeve për hapjen e kazinove të reja dhe kjo ka shtuar shqetësimet se numri i kumarxhinjve do të rritet.

Në një lagje pranë mureve të lashta të Romës, mund të luash lojra fati të çdo lloji, me monedha, bingo e të tjera. Mund të luash nëpër bare apo në një sallë të dikurshme kinemaje. Ndërkohë, dyqanet shesin lloj-lloj biletash llotarie. Madje edhe në një zyrë postare shiten karta të tipit scratch-and-win.

Shumë nga njerëzit që vijnë këtu thonë se janë klientë të rregullt por merren me baste të vogla.

"Luaj një herë në muaj,” thotë kjo grua, e cila sapo ka dale nga salla e bingos herët në mëngjes.

"Luajmë sepse jemi të varfër. Politikanët na i kanë gllabëruar të gjitha paratë.”

Liberalizimi i lojrave të fatit në Itali filloi në vitin 1992, kur vendi kishte nevojë të ngutshme për të ardhura nga taksat, sepse ndodhej në krizë ekonomike pak a shumë si kjo e tanishmja. Lojrat e fatit u shtuan gjatë qeverisjes së Silvio Berluskonit, i cili erdhi në fuqi në vitin 2001.

Në fillim, kjo industri solli mjaft të ardhura dhe i dha goditje tregut të paligjshëm të kontrolluar nga krimi i organizuar.

Por rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm, ndërkohë që mafia thjesht i ka zhvendosur operacionet e saj në kumarin e ligjshëm.

Sot, njerëzit vënë baste, në një mënyrë ose në një tjetër, duke shpenzuar zakonisht deri në 5 euro në javë.

"Luaj sepse kam shpresë se mund të fitoj diçka. Çdo javë ble një biletë,” thotë pensionisti Mario Gerardo.

Shifrat tregojnë se numri i italianëve që marrin pjesë në lojrat e fatit është shtuar më tepër se kurrë.

"Ata luajnë me shpresën se do të fitojnë shumë,” thotë kjo shitëse, e cila shet qindra bileta llotarie në ditë. “Disa edhe fitojnë, thotë ajo. Unë u kam dhënë disa fituesve nga 10 mijë euro”.

Disa njerëz kënaqen me pak.

"Unë luaj Superenalotton sepse përpiqem të fitoj dhe pastaj blej një biletë prej një euro dhe e lë me aq,” thotë kjo grua, e cila është kliente e rregullt. Ajo thotë se fiton diçka gjatë muajit por jo më shumë se pesë euro.

Të tjerë thonë se është thjesht ndjenja e të qënit fitues që i bën të luajnë.

"Puna është të fitosh, pavarësisht nga shuma. Ka njerëz, që edhe kur fitojnë pesë euro ndihen fitues, thotë Antonio, i cili sapo ka vënë një bast për një garë me kuaj.

Ligjvënësit thonë se liberalizimi i lojrave të fatit i ka kaluar caqet dhe se duhen vënë rregulla të reja, por deri tani askush nuk ka dalë me propozime konkrete.

Lojrat e fatit janë tani një virus që është përhapur mjaft në Itali dhe që, si shumë dukuri të tjera ka prekur edhe vendin fqinj, Shqipërinë.