Botohen një mijë dokumentet e qeverisë së Vlorës

Arkivi do të botojë në një libër të rrallë gjithë dokumentet e shqipëruara me kujdes nga njohësit më të mirë të turqishtes së vjetër.
Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë është duke botuar koleksionin e plotë me rreth një mijë dokumente të qeverisë së Ismail Qemalit, në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Arkivi do të botojë në një libër të rrallë gjithë dokumentet e ruajtura dhe të shqipëruara me kujdes nga njohësit më të mirë të turqishtes së vjetër.

http://www.youtube.com/embed/jKLwtVrjAeY

“Shumica e këtyre dokumentave janë në gjuhën osmanishte, dhe një pjesë e vogël në gjuhën shqipe - thotë drejtorja e arkivave shqiptare, Nevila Nika. - Botimi i arkivit të shtetit do t’i sjellë ato të gjitha në gjuhën shqipe, shoqëruar me facsimile të origjinaleve ku spikat nënshkrimi i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur”.

Trazirat e shumta politike dhe ushtarake mendohet se kanë zhdukur një pjesë jo të vogël të dokumentave të qeverisë së parë të shtetit të pavarur shqiptar. Nga ato që shpëtuan, një pjesë e madhe e këtyre dokumentave të qeverisë së përkohshme të Vlorës janë mbledhur nga Instituti Shqiptar i Kulturës para Luftës së Dytë Botërore dhe një pjesë tjetër u dorëzuan në arkiv pas Luftës së Dytë Botërore. Drejtorja e arkivave shqiptare, Nevila Nika, shprehu keqardhjen që ende nuk gjendet akti origjinal i pavarësisë, por ai do të përfshihet në këtë botim nga një fotografi mbi origjinalin që është gjendur në fototekën Marubi.

Botimi i ri dokumentave të qeverisë së përkohshme të Vlorës bazohet në punën e jashtëzakonshme profesionale të disa arkivistëve të hershëm që ishin edhe bashkëkohës të Ismail Qemalit si Jonuz Tafilaj, Haki Sharofi, Nezir Leskoviku, Andrea Sahatçi, që i kanë sjellë dokumentet në shqip, me shpjegime të detajuara.

Drejtuesit e arkivave të Shqipërisë pohojnë se sektori i shërbimit me qytetarët po përballon një punë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti sepse është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve dhe studiuesve që kërkojnë të shohin dokumenta arkivale. Të nxitur dhe frymëzuar nga 100 vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar, mijëra qytetarë nga gjithë anët e Ballkanit dhe botës po i kërkojnë arkivit kopje të dokumentave nga më të larmishmet, të cilat tani mundësoshen lehtësisht si me printime ashtu edhe me metoda dixhitale. Ndaj botimi i koleksionit të plotë të dokumentave të qeverisë së Ismail Qemalit shihet si një detyrim për të kënaqur kërkesat e publikut, dhe për të plotësuar bibliotekat e kujtdo qytetari të interesuar për historinë e Shqipërisë.