Kryeministri i Islandës Sigmund Gunnlaughsson njoftoi dorëheqjen duke u bërë kështu viktima e parë e Dokumenteve të Panamasë. Menjëherë pas skandalit, protestuesit kishin kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Dokumentet e Panamasë e lidhin kryeministrin me një firmë të parajsave fiskale. Disa ditë para se të dilnin dokumentet, kryeministri u largua në mes të një interviste kur gazetari e pyeti pikërisht në se kishte apo jo lidhje me kompani të parajsave fiskale.
Islanda ishte vendi ku u ndjenë në mënyrë më të drejtpërdrejtë efektet fillestare të skandalit të “Dokumenteve të Panamasë”. Dje në kryeqytetin Reykjavik, mijëra protestues kërkuan dorëheqjen e udhëheqësve të vendit, shumë prej të cilëve dyshohen për shmangie të taksave dhe evazion fiskal.
“Po protestoj kundër korrupsionit të qeverisë. Kryeministri ka fshehur paratë e tij ishujt Virgin dhe ka gënjyer. Ministri i financave ka gënjyer gjithashtu për pjesëmarrjen në këto kompani sekrete dhe jemi të gjithë të lodhur prej kësaj”, thotë Eingar Bergmundur.
Në një intervistë televizive të regjistruar para daljes së dokumenteve dhe që u transmetua gjatë fundjavës kryeministri Sigmund Gunnlaughsson u vu në pozitë të vështirë sa u detyrua ta lërë intervistën në mes kur gazetari e pyeti në se ai dhe e shoqja kishin lidhje me një firmë në njërën prej parajsave fiskale. Islanda është përballur me një krizë financiare që ka çuar në falimentim bankash dhe kryeminsitri negocioi kushtet e ripagimit të kreditorëve nga bankat e falimentuara të vendit të tij.
“...po më pyesni për një kompani të cilën e kam raportuar në deklaratën e taksave që në fillim... Juve po thoni që unë nuk kam paguar taska për këtë...”, tha kryeministri.
Pasi gazetari bën të qartë se ai ka të drejtën të vazhdojë të drejtojë pyetje për këtë çështje, kryeministri vendos në vazhdim ta lërë intervistën dhe u tha gazetarëve në dalje, se ishte futur në kurth nga gazetari.
Disa ditë më pas, dolën dokumentet e Panamasë ku kryeminsitri dhe e shoqja figurojnë me një firmë në parajsat fiskale. Firma ishte krijuar në vitin 2007 dhe në vitin 2009, më 31 dhjetor, ai ia shiti 50% e tij të shoqes për 1 dollar, një ditë para se të hynte në fuqi ligji i ri që e detyronte ta bënte publik interesin e tij tek kjo firmë. Ai nuk e deklaroi këtë gjë kur hyri në parlament në vitin 2009.
Opozita kishte bërë thirrje që ai dhe qeveria e tij të dorëhiqen, pasi shumë njerëz mendojnë se kanë lidhje edhe me rënien e bankave të Islandës në vitin 2008.