Grupi Shteti Islamik ka publikuar një video, ku kërcënon Iranin dhe premton se së shpejti ka për ta pushtuar atë.
Videoja 36-minutëshe në persisht, i drejtohet pakicës suni të Iranit dhe e akuzon Teheranin se i persekuton ata. Por analistët thonë se synimi i videos mund të jetë një përpjekje e dëshpëruar për të treguar se ISIS është dobësuar më tepër se kurrë, që nga koha e deklarimit të kalifatit në qershor të vitit 2014, mbetet një forcë e fuqishme.
Irani është angazhuar intensivisht në përpjekjet e Irakut dhe Sirisë për çrrënjosjen e Shtetit Islamik nga territori i vet, duke e furnizuar milicinë shiite me fonde dhe pajisje të ndryshme.
Që nga viti 2012, Irani ka qenë një aleat i rëndësishëm i regjimit sirian në Damask, duke i mbështetur trupat siriane në luftën e tyre me grupet rebele në mbarë vendin. Sipas njoftimeve, disa herë, forcat iraniane kanë luftuar me ISIS-in në Siri.
Në video, disa persona që flasin persisht, me një theks të rëndë të krahinës së Baluçistanit. Ata thonë se që nga koha e Revolucionit Islamik të vitit 1979, janë ekzekutuar më tepër se 18 mijë iranianë suni.
Njëri nga folësit në video u bën thirrje sunive “t’u bashkohen grupit për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe për të rifituar krenarinë që u është marrë nga autoritet shiite të Iranit.” Por një numër anketash tregojnë se pakicat suni kanë treguar pak interes për t’iu bashkuar ISIS-it.