Familjet e Shtetit Islamik braktisin strehën e fundit të grupit

Forcat siriane të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar janë shumë pranë marrjes nën kontroll të strehës së fundit të militatëve të Shtetit Islamik në Siri. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Heather Murdock njofton nga vendngjarja se beteja është e ashpër ndërsa militantët po mbrojnë rrjetet e tyre të tuneleve brenda një kampi të mbushur me gra dhe fëmijë. Gjatë ditëve të fundit, mijëra njerëz janë larguar nga zona e betejës, disa pranë vdekjes e të tjerë me premtimin se lufta e Shtetit Islamik do të vazhdojë.

Duket se janë ditët e fundit të kalifatit të vetëshpallur nga grupi i Shtetit Islamik. Aktualisht është një luftë për një kamp me çadra me afro një mijë njerëz brenda tyre.

Autoritetet thonë se janë habitur nga numri i njerëzve që kanë braktisur atë zonë të vogël, më shumë se gjashtë mijë vetëm javën e fundit. Afro një e treta janë fëmijë nën moshën 5 vjeç. 13 vjeçarja Afaf humbi nënën dhe motrën nga një sulm ajror në oborrin e shtëpisë.

“U trondita. Bërtita dhe bëra thirrje për ndihmë.”

Këto familje nuk janë viktima të zakonshme. Besohet se pothuajse të gjithë kanë lidhje me luftëtarët e Shtetit Islamik. Gratë që mbërritën një natë më parë thanë se të gjithë burrat ishin marrë për pyetje të mëtejshme.

Ndryshe nga betejat e mëparshme ku shumica e njerëzve dënonin Shtetin Islamik, disa besimtarë të vërtetë nga Baghuzi nuk pranojnë dështimin e kalifatit. Umm Anas është mbështetëse e Shtetit Islamik.

“Të gjithë njerëzit në Baghuz dhe jashtë tij do të gjejnë fitore. Perëndia u dhëntë atyre fitoren”, thotë ajo.

Sulmet vazhdojnë pothuajse çdo ditë. Vëzhguesit, përfshi punonjësit e ndihmave, thonë se pa ndryshime rrënjesore, mundja e Shtetit Islamik aty mund të shënojë fundin e kësaj faze ekstremizmi që ka kapluar atë rajon. David Eubank është me grupin humanitar “Free Burma Rangers”.

“Ka një strukturë të lëvizjeve ekstremiste fetare, dhe kjo është e fundit. Duhet luftuar në dy mënyra. E para duhet reaguar me forcë menjëherë ndaj çdo veprimi të dhunshëm. Kjo është gjuha që ata kuptojnë. Nga ana tjetër, duhen patur parasysh disa nga shkaqet rrënjësore që shkaktojnë padrejtësi.”

Gjatë ditëve që vijnë pritet që forcat siriane dhe ato ndërkombëtare të deklarojnë mundjen e Shtetit Islamik, por është ende e paqartë nëse mundja e tij, në këtë rast, do të nënkuptojë gjithashtu fitoren.