Civilët largohen nga enklava e fundit e kalifatit të vetëshpallur të ISIS-it

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara janë një hap më pranë çlirimit të territorit të fundit sirian të mbajtur nga grupi terrorist i Shtetit Islamik, por një sulmi përfundimtar ende mund të jetë disa ditë larg.

"Luftëtarët më të devotshëm të ISIS-it mbeten akoma aty", tha koalicioni global në Twitter të mërkurën, duke përdorur një akronim për grupin terrorist, dhe duke shtuar se forcat e mbështetura nga SHBA "vazhdojnë të presin civilë që përpiqen të largohen drejt sigurisë".

Deklarata e koalicionit erdhi disa orë pasi Forcat Demokratike Siriane të udhëhequr nga kurdët thyen një bllokim me luftëtarët e Shtetit Islamik ende të fshehur në fshatin Baghuz, duke siguruar lirimin e qindra civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë.

"Pas shumë ditë përpjekjesh, ne ishim në gjendje të evakuonim grupin e parë sot," tha zëdhënësi i FDS-së, Mustafa Bali për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Dëshmitarët thanë se panë një autokolonë prej rreth 10 kamionësh që u largua nga enklava e fundit të Shtetit Islamik, në një shteg të vogël toke të mbuluar me tenda në jo më shumë se disa qindra metra katrorë.

Ata thanë se kamionët po transportonin qindra njerëz. Të paktën dy nga kamionët kishin burra të identifikuar si luftëtarë të Shtetit Islamik të cilët ishin dorëzuar.

Një zyrtar i lartë i FDS-së tha se një vlerësim fillestar tregon se gjithësej, rreth 2,000 njerëz u larguan nga Baghuzi të mërkurën. Por ai tha se ndoshta 1,000 më shumë mbeten aty, të gjithë janë luftëtarë ose familje të Shtetit Islamik, dhe se shumica janë me origjinë nga Iraku.

Por zyrtarët e FDS-së thanë se po hezitojnë të përballen me luftëtarët e mbetur derisa të gjithë civilët të evakuohen.