Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden, një demokrat që pritet të përballet me presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, është për të tretën herë kandidat për president, por është hera e parë që pritet të jetë i zgjedhuri i partisë së tij.
Nëse fiton dhe merr detyrën në janar 2021, zoti Biden do të bëhej presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë ai do të jetë 78 vjeç, presidenti më i moshuar amerikan, duke ia kaluar presidentit Trump që ishte 74 vjeç kur mori detyrën.
Gjatë gjithë muajve që ka bërë fushatë zoti Biden ka thënë se po përpiqet t'i japë fund administratës së presidentit Trump që ai e quan "një anomali".
“Jemi në një luftë për shpirtin e Amerikës. Ka ardhur koha të kujtojmë se cilët jemi. Jemi amerikanë: të fortë, me aftësinë për t’u ripërtërirë marrë veten, dhe gjithmonë me shpresë. Ka ardhur koha që ta trajtojmë njëri-tjetrin me dinjitet. Të krijojmë një klasë të mesme që funksionon për të gjithë. T’i kundërshtojmë abuzimet e jashtëzakonshme të pushtetit që po shohim. Ka ardhur koha që të shohim brenda vetes dhe të kujtojmë se ditë më të mira na presin përpara”, thotë zoti Biden në faqen e fushatës së tij.
Zoti Biden e ka karakterizuar zotin Trump si një udhëheqës të pazotin për të drejtuar Botën e Re, duke thënë se “është koha për një udhëheqje të respektuar në skenën botërore dhe udhëheqje me dinjitet brenda vendit”.
Por në mes të pandemisë së koronavirusit, fushata e zotit Biden ka qenë krejt e ndryshme nga garat moderne presidenciale. Ai ka bërë fushatë kryesisht nga shtëpia e tij në shtetin, me takime të pakta dhe me pak njerëz në Wilmington, qyteti më i madh i shtetit dhe Filadelfia e Pensilvanisë, aty pranë për fjalime dhe diskutime për politika.
Ish-senatori amerikan ka mbajtur vetëm një konferencë për shtyp gjatë një periudhe tremujore dhe u është shmangur tubimeve të mëdha politike, duke u ruajtur që të mos preket nga virusi dhe të mos ta përhapë atë, nëse turma të mëdha mblidhen për ta dëgjuar atë.
Arritjet dhe jeta personale
Pasi u diplomua nga Universiteti i Delauerës dhe Falulteti Juridik i Universitetit Syracuse, zotiBiden u bë në vitin 1972, në moshën 29 vjeçare, një nga ligjvënësit më të rinj të zgjedhur në senatin amerikan. Por disa javë pas zgjedhjeve jeta e tij u godit nga një tragjedi.
Gruaja e tij Neilia, dhe vajza e tij e vogël, Naomi, humbën jetën në një aksident rrugor, një javë para Krishtlindjeve. Djemtë e tij, Beau and Hunter, u plagosën rëndë por mbijetuan dhe zoti Biden e bëri betimin si senator pranë shtratit të spitalit të të birit Beau në vitin 1973.
Ai filloi të udhëtonte përditë me tren nga Uashingtoni në Delaware 90 minuta vajtje dhe po aq ardhje, një rutinë që e ndoqi për 36 vjet – gjashtë mandate – në senat.
Disa vjet pas vdekjes së gruas së tij të parë, zoti Biden u martua me Jill Jacobs Tracy-n dhe pati një vajzë me të në vitin 1981.
Mbi 40 vjet më pas, zoti Biden u godit përsëri nga tragjedia, kur i biri Beau vdiq nga kanceri në tru në moshën 46 vjeçare.
Zoti Biden përmendi vdekjen e tij si arsye që nuk hyri në garën presidenciale në vitin 2015.
Zoti Biden kandidoi për president në vitet 1987 dhe 2007 por nuk arriti të sigurojë mbështetje të madhe. Pasi doli nga gara në vitin 2007, Barack Obama i kërkoi që të kandidonte në krah të tij, për rolin e nënpresidentit. Ata fituan në zgjedhjet e vitit 2008 dhe rizgjedhjen në vitin 2012. Zoti Biden ishte nënpresident për tetë vjet.
Politika e Jashtme
Ndërsa ishte në Senat, zoti Biden ishte për shumë vite anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe shërbeu dy herë si kreu I komisionit. Ai kundërshtoi Luftën në Girin Persik në vitin 1991, pot votoi në favor të ndërhyrjes në Irak në vitin 2003. Ai argumentoi me forcë për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Bosnjë në vitin 1994.Si nënpresident i presidentit Obama, zoti Biden ndihmoi në hartimin e politikës së jashtme për Irakun, përfshirë tërheqjen e trupave në vitin 2011. Ai gjithashtu mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Libi në vitin 2011.
Zoti Biden luajti edhe role të tjera me peshë në vitet e Senatit, veçanërisht për hartimin e ligjeve kundër krimit, përfshirë një ndalim në shkallë federale të armëve të sulmit që ishte në fuqi për 10 vjet deri në vitin 2004 por nuk i është zgjatur afati. Ai mbështeti dënime të ashpra për kriminelët, një qëndrim që e ka modifikuar në fushatën e këtij viti. Tani ai thotç se “një numër shumë i madh njerëzish burgosen në Shtetet e Bashkuara dhe shumë prej tyre janë me ngjyrë”.
Zoti ka thënë se e konsideron ligjin kundër Dhunës ndaj Grave, që bëri më të lehtë ndjekjen penale të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale, “më të rëndësishmin”, që ai ka ndihmuar të miratohej në Kongres.
Por ka qenë drejtimi nga ana e tij i seancave të dëshmive në vitin 1991 për emërimin e gjykatësitClarence Thomas për Gjykatën e Lartë, kandidatura e të cilit ishte paraqitur nga ish-Presidenti George H.W. Bush, që ka shqetësuar për vite me radhë disa nga kundërshtarët e tij brenda Partisë Demokratë.
Anita Hill, një juriste që kishte punuar me zotin Thomas, e akuzoi atë për ngacmim seksual dhe dëshmoi kundër tij, akuza që zoti Thomas i kundërshtoi. Por zoti Biden, që atëherë ishte kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, nuk lejoi dëshmitarë të tjerë që mund të mbështesnin dëshminë e zonjës Hill. Organizata grash dhe veprimtarë liberalë ligjorë e kritikuan ashpër mënyrën sesi i menaxhoi seancat zoti Biden. Senati e miratoi emërimin e zotit Thomas me një epërsi shumë të lehtë dhe ai vazhdon të jetë në Gjykatën e Lartë. Në prill 2019, zoti Biden e telefonoi zonjën Hill për t’i kërkuar falje për mënyrën sesi i drejtoi seancat, por ajo tha më pas se vazhdonte të ishte thellësisht e zhgënjyer.
Platforma
Një presidencë e mundshme e zotit Biden, mund të reflektojë tetë vitet e mandateve të zotit Obama, me politika që avancojnë kauza progresiste për barazinë racore dhe të drejtat e grave në politikën e brendshme dhe në respekt të marrëveshjeve ndërkombëtare në politikën e jashtme. Presidenti Trump i ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshje tregëtare, bërthamore dhe për klimën pasi nuk i konsideron ato në interes të Uashingtonit. Zoti Biden me shumë gjasa do të përpiqet të rikthejë pozicionin udhëheqës dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në botë.
Zoti Biden ka një reputacion për vullnet për t’u zgjatur dorën kundërshtarëve politikë dhe për të bashkëpunuar me republikanët. Por zoti Biden i ka kundërshtuar kritikat se nuk është liberal sa ç’duhet për Partinë Demokrate, duke e vënë theksin tek arritjet e administratës Obama, përfshirë zgjerimin e kujdesit shëndetësor, legalizimin e martesës mes personave të të njëjtit seks dhe paketa e qeverisë për të shpëtuar industrinë e automjeteve.
Zoti Biden thotë se Presidenti Trump e ka braktisur luftën ndaj pandemisë së koronavirusit. Zoti Biden thotë se si president do të “garantonte që vendimet e kujdesit shëndetësor të merren nga profesionistët e shëndetit dhe jo politikanët”.
Ndërsa zoti Trump shpesh poston komente të ashpra në Twitter, ai i ka përdorur gafat verbale të zotit Biden për të argumentuar se mosha i ka dobësuar aftësitë mendore të kandidati demokrat. Javët e fundit, zoti Biden ka thënë se është në garë për Senatin, në vend të presidencës dhe në një rast tjetër tha se kishin vdekur 120 milionë amerikanë ngakoronavirusi, në vend të120,000.
“Nëse do ta kisha thënë unë diçka kaq idiote, Media e Rreme do të më ishte kthyer me hakmarrje. Ky nuk është një gabim normal”, shkruante ai në Twitter.
Por zoti Biden, i pyetur nëse aftësia e tij mendore ishte dobësuar, reagoi “Mjafton që të më ndiqni dhe mezi pres që ta krahasoj aftësinë time logjike me atë të personit me të cilin jam në garë”, tha ai.
Të dy kandidatët pritet të përballen në tre debate në shtator dhe tetor.
The two candidates are planning to face off in three debates in September and October.
Megan Duzor kontribuoi për këtë artikull