Irlanda mund të përballet me zgjedhje të parakohshme

  • Zëri Amerikës

Irlanda mund të përballet me zgjedhje të parakohshme

Partia e Gjelbër e Irlandës u largua nga qeveria e kryeministrit Brajan Kouën, veprim i cili ka të ngjarë të detyrojë organizimin e zgjedhjeve të reja para datës 11 mars, që u caktua javën e kaluar.

Vendimi i sotëm i Partisë së Gjelbër për t’iu bashkuar opozitës e lë partinë e zotit Kouën, Fiana Fail, pa shumicën e nevojshme parlamentare. Udhëheqësi i të gjelbërve Xhon Gormli tha se partia e tij humbi durimin, për shkak të pamundësisë së partisë Fiana Fail për të zgjidhur problemet e udhëheqësve të saj.

Dje kryeministri irlandez Brajën Kauën dha dorëheqjen si udhëheqës i partisë Fianna Fail për shkak të presionit dhe zemërimit të ligjvënësve të koalicionit dhe opozitës, për mënyrën se si ai e ka trajtuar krizën e borxheve që ka detyruar Irlandët të kërkojë ndihmë nëntorin e kaluar.

Zoti Kouën është zotuar se do të qëndrojë si kryeministër deri në zgjedhjet e përgjithshme të 11 marsit, duke thënë se kjo ishte koha e që i duhej atij për të siguruar miratimin e ligjeve financiare që kishtn rol jetësor në sigurimin e ndihmës financiare.

Por udhëheqësit e opozitës u shprehën të pakënaqur ndaj manovrës së tij dhe deklaruan se do ta hiqnin nga pushteti përmes një votëbesimi që mund të mbahet javën tjetër.