Ushtria e Irakut ka nisur një ofensivë të madhe, siç e quan ajo, për të rimarrë qytetin verior Tikrit nga ekstremistët suni.
Zyrtarët ushtarakë thonë se operacioni kryesor në terren filloi sot me luftime të ashpra në qytet mes rebelëve suni dhe forcave speciale të Irakut, që po përpiqen për të rimarrë kontrollin e një kampusi universitar. Helikopterët ushtarakë irakianë kanë qëlluar për të zmbrapsur kryengritësit, ndërkohë që tanket irakiane po sulmojnë nga jugu.
Tani për tani numri i viktimave është i paqartë.
Operacioni vjen një ditë pas njoftimit të zyrtarëve amerikanë se kanë filluar fluturimet e avionëve të armatosur pa pilot në hapësirën ajrore të Irakut për të mbrojtur këshilltarët ushtarakë të SHBA, që janë dërguar për të ndihmuar në luftën kundër rebelimit.
Presidenti amerikan Barak Obama ka dërguar 300 këshilltarë ushtarakë në Irak për të përforcuar forcat qeveritare irakiane dhe për të ndihmuar në ngritjen e qendrave të përbashkëta operacionale në luftën kundër militantëve suni.