Irani: Do të dërgojmë anije luftarake në Atlantik

Flota detare iraniane do të dislokojë anije luftarake në Atlantik, tha të premten një komandant i lartë i Iranit.

Një flotilje do të niset për në Oqeanin Atlantik duke filluar nga marsi, tha zëvendës komandanti detar i Iranit, Touraj Hassani për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.

"Oqeani Atlantik është shumë larg dhe operacioni i flotiljes detare iraniane mund të zgjasë pesë muaj", tha admirali.

Irani e sheh praninë e aeroplanmbajtëseve amerikane në Gjirin Persik si shqetësim për sigurinë e tij dhe synon të rrisë rrezen e veprimit të forcave detare në oborrin e pasmë të Shteteve të Bashkuara.

Flota detare e Iranit e ka zgjeruar shtrirjen e saj vitet e fundit, duke dërguar anije në Oqeanin Indian dhe në Gjirin e Adenit për të mbrojtur mjetet iraniane të lundrimit nga piratët somalezë.

Retorika mes SHBA dhe Iranit është përshkallëzuar që kur Donald Trump u largua nga marrëveshja bërthamore me Iranin në muajin maj dhe vendosi sanksione ndaj sektorit të tij bankar dhe të energjisë.

Irani ka paralajmëruar se nëse nuk do të shesë dot naftë për shkak të presioneve amerikane, atëherë asnjë vend tjetër në rajon nuk do të lejohet ta bëjë këtë.

Teherani ka kërcënuar të bllokojë Ngushticën e Hormuzit në Gjirin Persik, nga kalon një e treta e naftës botërore që transportohet me det.