Irani do të takohet me fuqitë perëndimore në Stamboll për çështjet bërthamore

Irani konfirmoi se do të takohet me fuqitë perëndimore në Stamboll të shtunën për çështjet bërthamore, por po u kërkon atyre që të heqin nga tryeza parakushtet.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit konfirmoi sot se do të takohet me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Britaninë dhe Francën - plus Gjermaninë. Irani dëshiron një raund të mëtejshëm bisedimesh në Bagdad në një datë të mëvonshme për të diskutuar mbi programin e tij bërthamor.

Nga fuqitë botërore ende nuk ka pasur një përgjigje. Irani e kishte kundërshtuar mbajtjen e bisedimeve në Stamboll, duke thënë se Turqia është kthyer kundër aleates së tij, Sirisë.

Fuqitë botërore thonë se bisedimet, që do të ishin të parat që nga janari i vitit 2011, duhet të çojnë në kufizimin e aktiviteteve të Iranit për pasurimin e uraniumit dhe mbylljen e objekti të nëndheshëm të pasurimit.

Por Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi i tha sot medias iraniane se vënia e kushtevenë prag të bisedimeve është pa kuptim.

Fuqitë perëndimore dyshojnë se Teherani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Irani i mohon akuzat dhe thotë se aktivitetet e tij bërthamore janë thjesht për prodhimin e energjisë dhe për qëllime mjekësore.