Irani konfirmoi të hënën se një delegacion i talebanëve ka qenë për vizitë në Teheran, për diskutime për t’i dhënë fund me negociata luftës 17-vjeçare në Afganistan.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se delegacioni i talebanëve mbërriti të dielën dhe është takuar me zëvendësministrin e jashtëm Abbas Araghchi.
Talebanët, që rrallëherë e vizitojnë Iranin, nuk bënë komente të menjëhershme lidhur me takimin në Teheran.
Zëdhënësi iranian tha se qeveria afgane ishte në dijeni të vizitës, duke shtuar se Irani është duke u përpjekur të japë ndihmesën e vet për paqen në Afganistan.
Këto nuk janë bisedimet e para mes zyrtarëve talebanë dhe atyre iranianë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Suprem të Sigurisë së Iranit, Ali Shamkhani, konfirmoi javën e kaluar se janë zhvilluar bisedime mes zyrtarëve të të dyja vendeve në të kaluarën dhe se ato do të vazhdojnë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se Teherani është përpjekur për të ndërmjetësuar bisedimet mes kryengritësve dhe qeverisë afgane.