Përfaqësues të fuqive botërorë janë mbledhur në Vjenë për bisedime mbi të ardhmen politike të Sirisë në përpjekje për të sheshuar mospajtimet lidhur me të ardhmen e presidentit Bashar al-Assad.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry mbërriti sot në Vjenë ku u shpreh se takimi është mundësia më shpresë-dhënëse prej vitesh për t’i dhënë fund tmerrit që ka pushtuar vendin prej katër vitesh e gjysmë.
Diplomatë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite, Turqia dhe Bashkimi Evropian marrin pjesë në bisedime. Edhe Ministri i Jashtëm iranian Javad Zariff mbërriti sot për bisedime të veçanta me zotin Kerry dhe shefin e diplomacisë ruse Sergei Lavrov.
Nesër bisedimet do të përfshijnë edhe përfaqësues të vendeve të tjera, por pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë siriane apo grupeve opozitare që përpiqen ta rrëzojnë qeverinë.