Iran: Anëtarët e parlamentit kërkojnë dënimin me vdekje për udhëheqësit e opozitës

  • Zëri Amerikës

Iran: Anëtarët e parlamentit kërkojnë dënimin me vdekje për udhëheqësit e opozitës

Në Iran, anëtarët e parlamentit po kërkojnë dënimin me vdekje për udhëheqësit e opozitës, që organizuan dje manifestime anti qeveritare në disa qytete të vendit. Ligjvënësit konservatorë thanë sot se udhëheqësit e opozitës, Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karrobi duhet të gjykohen për kryengritje, shkelje që dënohet me vdekje.

Dy udhëheqësit reformatorë të opozitës kishin bërë thirrje për manifestimet e djeshme në Teheran dhe gjetkë për të treguar solidariteet me kryengritjet në vendet arabe kundër qeverive autoritare.

Opozita në Iran thotë se me sa duket forcat e sigurimit arrestuan qindra veprimtarë anti qeveritarë, duke shtypur kështu manifestimet e djeshme.

Në faqen elektronike të udhëheqësit të opozitës, Mir Hosein Musavi thuhet se ka "njoftime të pakonfirmuara" se qindra vetë u arrestuan gjatë demonstratave të djeshme, në të cilat morën pjesë mijëra aktivistë megjithë vendimin e qeverisë për ndalimin e tyre.

Nuk pati ndonjë konfirmim zyrtar rreth numrit të të ndaluarve, por policia iraniane konfirmoi një të vdekur gjatë demonstratave.

Të hënën, forcat iraniane të sigurisë përdorën gazin lotsjellës për të shpërdarë mijëra iranianë që manifestonin në mbështetje të kryengritjeve popullore në Tunizi dhe Egjipt.

Dëshmitarët thonë se forcat policore, shumë prej tyre me motoçikleta, kishin dalë që herët në rrugët e Teheranit, pasi opozita tha dje se do të organizonte mitingje, megjithëse qeveria nuk i kishte dhënë leje.

Protestuesit u mblodhën në sheshet e Teheranit. Disa prej tyre thërrisnin: "vdekje diktatorit" një sllogan i përdorur nga protestuesit kundër Presidentit Mahmoud Ahmadinexhad pas zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2009.