Forcat irakiane të sigurisë kanë rrethuar Falluxhën nga të katër anët para një ofensive të fuqishme, por ka shqetësim në rritje lidhur me fatin e civilëve të bllokuar brenda këtij qyteti që kontrollohet nga ISIS.
“Ata kanë vënë bomba në rrugë dhe po përdorin persona për sulme vetëvrasëse,” tha një ushtar i forcave irakiane.
Falluxha, një qytet me shumicë suni, ka qenë nën kontrollin e ISIS më gjatë se çdo qytet tjetër në Irak. Besohet se forcat e Shtetit Islamik kanë hedhur rrënjë të forta në këtë qytet.
Me intensifikimin e luftimeve dhe goditjeve ajrore përreth qytetit, është keqësuar gjendja e civilëve në Falluxha. Rreth 800 vetë kanë arritur të dalin dhe të shpëtojnë, por mijëra të tjerë mbeten të bllokuar.