Bagdati ishte në prag të kaosit politik sot. Qyteti është nën gjendje të jashtëzakonshme. Protestuesit kanë zaptuar një pjesë të Zonës Ndërkombëtare, që dikur ishte e pakalueshme për qytetarët e zakonshëm, ushtria është në gjendje gatishmërie, ndërsa ligjvënësit kanë marrë arratinë.
Sot në mëngjes, kleriku shiit Moktada al Sadr kishte mbledhur përkrahës të tij para parlamentit të braktisur. Ligjvënësit e braktisën parlamentin dje pasi protestuesit u futën në selinë e organit legjislativ. Më vonë nga mbrëmja, protestuesit ishin tërhequr nga salla e parlamentit.
Zyrtarët thonë se mijëra protestues vazhdojnë të mbajnë të uzurpuar Zonën Ndërkombëtare ku ndodhen zyrat e Kombeve të Bashkuara dhe shumë ndërtesa qeveritare.
Uzurpimi i parlamentit ishte pika kulmore e një situate të trazuar që ka zgjatur prej disa javësh. Kleriku al Sadr ka kërkuar ngritjen e një qeverie të re me teknokratë. Kryeministri Haidar al Abadi, i cili pat premtuar reforma nuk ka arritur të realizojë ndryshime reale, pasi partitë politike, në luftën e tyre për pushte, bllokuan shumë nga kandidatët e Al Abadit.