Ministri i Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj tha të dielën se qëndrimi i qeverisë shqiptare në bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, është i vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal. Zoti Ahmetaj, që ndodhet në Uashington për takimet e vjeshtës së FMN-së dhe Bankës Botërore, tha se diskutimet nuk bëjnë fjalë për paketë rritjesh taksash, por balancim të tyre. Zoti Ahmetaj tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se paketa fiskale e vitit 2014, ku pati dhe ulje dhe rritje taksash tani po balancohet me dy-tre lëvizje të tjera. Ministri i Ekonomisë tha se nuk do të ketë rritje taksash për rrogat por e pranoi se do të preket dividenti, të ardhurat personale, si për shembull nga qeratë. Ai tha se pjesë e paketës është edhe lehtësimi për aktivitetin e bizneseve. Duke folur për përpjekjet në luftën kundër monopoleve, zoti Ahmetajrikonfirmoi në intervistën me kolegen Keida Kostreci, angazhimin e qeverisë kundër tyre dhe tha se ka filluar, por pranoi se është e vështirë për t’u realizuar menjëherë.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Fillimisht, le të flasim pak për paketën fiskale fleksibël të cilën dje Ministri i Financave në intervistë me ne tha se ka diskutuar me FMN-në. Çfarë nënkupton kjo dhe çfarë do të ndodhë me taksat? A do të ketë një rritje të tyre?
Arben Ahmetaj: Ne jemi akoma në diskutim me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të gjithë kuadrin makroekonomik dhe fiskal të vitit 2015. Por, e vërteta është që është një paketë fiskale fleksibël akoma. Varet nga shumë parametra të cilat janë në diskutim e sipër dhe në këtë mbasdite të ditës së dielë. Besoj sot është takimi përmbyllës teknik dhe pas asaj do të marrim vendimet për sa i përket 2015-s. E theksoj që qëndrimi i qeverisë shqiptare është i vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal. Marrëveshja, siç e kemi theksuar me Fondin Monetar, është një marrëveshje rritjeje ekonomike. Nuk është një marrëveshje shtrënguese. Por, sigurisht që qeveria shqiptare ka detyrat e veta të drejtpërdrejta për të plotësuar, për të bërë detyrat e shtëpisë; ashtu siç ndodhi gjatë 2014-s, do të vazhdojë 2015-ta dhe 2016-ta. Të gjithë masat që ne jemi të fokusuar, janë masa që tentojnë dhe furnizojnë rritjen ekonomike.
Zëri i Amerikës: Por, a do të rriten taksat, dhe nëse po, a nuk është një masë më e mirë lufta ndaj informalitetit sesa kjo rritje e taksave?
Arben Ahmetaj: Në fakt, shqetësimi për rritjen e taksave është i gjithmonshëm. Pra, gjithmonë edhe vetë kur fillojmë të diskutojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi shqetësimin i cili transmetohet nga qytetarët tek ne. Dhe sigurisht ndjeshmëria jonë e drejtpërdrejtë është për rritjen e taksave. Nuk jemi duke folur për një paketë rritje taksash. Jemi duke folur për një paketë balancimi taksash, sepse paketën fiskale të 2014-s, ku patëm dhe ulje dhe rritje taksash tani po e balancojmë me dy-tre lëvizje të tjera. Para tre javësh ne kaluam një rritje të akcizës së duhanit me qëllim frenimin e konsumit të duhanit e përputhur edhe me gjithë fushatën tonë kundër duhanpirjes në Shqipëri. Dhe kjo ishte dhe pjesë e paketës fiskale, e cila ishte kërkuar në fakt nga qeveria shqiptare. Por sigurisht që ajo ka efektet e veta në të ardhurat, pra pozitive në të ardhurat në buxhet në 2015-n. Pjesa tjetër e paketës është balancimi i dividentit, apo i të ardhurave personale, jo të pagës. Pra, dua ta theksoj, ne nuk kemi asnjë intension që të prekim të ardhurat personale nga paga. Ajo që kemi bërë vitin e kaluar, ajo është finalja. Pra, ajo lëvizje fiskale që ne bëmë në 2014, ajo është finalja për sa i përket pagave. Pjesa tjetër ka të bëjë me dividentin, ka të bëjë me të ardhurat nga qeratë. Dhe edhe si teknikalitet, edhe si domosdoshmëri të ardhurash kjo paketë ka nevojë që të balancohet. Ka edhe dy-tre elementë të tjerë të cilët po shihen akoma të pavendosur, por dua ta theksoj që kemi një set, pra kemi një paketë, çlirimi procedurash me biznesin të kërkuara nga sipërmarrja në diskutim të mëpërparshëm me ne. I kemi kaluar një për një. Shumicën e tyre i kemi pranuar dhe besoj se ajo paketë do ta lehtësojë jetën e biznesit edhe njëherë. Pra, janë rreth 20 pika të cilat, të kërkuara nga shoqatat, përfaqësuesit e sipërmarrjes, janë studiuar me kujdes dhe do jenë pjesë e paketës fiskale.
Zëri i Amerikës: Zoti Ahmetaj, para se qeveria juaj të vinte në pushtet ju keni akuzuar qeverinë e mëparshme për krijimin e monopoleve. Më shumë se sa një vit pas ardhjes në pushtet çfarë konkretisht keni bërë ju për këtë luftë, ndërkohë që ka ankesa se nuk ka qenë aq e fortë sa ç’duhet?
Arben Ahmetaj: Lufta kundër monopoleve asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Nuk diskutohet. Liberalizimi i ekonomisë shkon krah më krah me zhvillimin ekonomik. Kjo është e sigurt. Lufta kundër monopoleve në një vit nuk ka qenë e vogël aspak, ka qenë goxha e fuqishme. Megjithatë dua të theksoj dhe një element i cili është i rëndësishëm për t’u përmendur.
Zëri i Amerikës: Diçka konkretisht...
Arben Ahmetaj: Do flasim konkretisht. Ka disa konçesione të cilat janë bërë nga qeveria e mëparshme, dhe me ligj. Dhe në momentin që i prekim, dhe që kemi prekur, shumë konçesione kemi hequr, shumë marrëdhënie kontraktuale të fokusuara në bazë interesash shumë të vogla, të rretheve të vogla. Ka pasur le të themi asete qeveritare të dhëna me qera në mënyrë, le të themi, klienteliste. I kemi prishur ato kontrata. Kemi prishur konçesionin për sa i përket HEC-eve. Pra, gjithë pjesës që ka shkelur kontratën. Konçesione në miniera. Konçesione të tjera të shërbimeve të cilat kanë siguruar monopole të drejtpërdrejta. Por, ka konçesione që kanë kaluar me ligj të cilat në momentin që i prek dhe i rrëzon, shteti është i detyruar të paguajë në arbitrazh jashtëzakonisht shumë.
Zëri i Amerikës: Do bëhet, apo nuk do bëhet? Apo është e vështirë që të bëhet?
Arben Ahmetaj: Janë bërë dhe do vazhdojnë të bëhen. Nuk diskutohet. Për shumë nga ato konçesione ne jemi gati të marrim edhe koston në buxhet. Jemi gjithashtu duke negociuar edhe për të ulur koston mbi sipërmarrjen për të gjitha këto konktrata konçesionare, dhe besoj që në javët që vijnë ju do të dëgjoni edhe përmirësim të konsiderueshëm të këtyre kontratave për sa i përket shërbimit ndaj sipërmarrjes dhe kostos ndaj sipërmarrjes. Një nga kontratat ka qenë edhe skanimi në doganë, i cila është konsideruar një kontratë, jo vetëm nga sipërmarrja por edhe nga ne, e vështirë për t’u realizuar. Sigurisht që çdo prishje jo-miqësore e kontratës do të jetë me shumë kosto për buxhetin e shtetit. Mund të shkojë edhe në 70 milionë Euro. Pra, kështu është bërë kontrata nga qeveria e kaluar. Pra, duhet të kemi një ekuilibër të kujdesshëm që të mos i lëmë tatimpaguesve në kurriz kosto. Sikur t’i prishim të gjitha konçesionet, këto konçesione që po shohim tani, që janë rreth 6 ose 7, kosto për buxhetin e shtetit dhe për tatimpaguesit shkon afër 300 milonë Euro. Pra, i bie që me një të rënë lapsit, t’i ngarkojmë 300 milionë Euro tatimpaguesve të Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje tjetër, lidhur me rritjen ekonomike. Pati një rritje negative, por që ju keni thënë se kjo është në krahasim me të njëjtën periudhë vitin që kaloi, ndërkohë që ka patur një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin e mëparshëm. A mendoni që kjo rritje është e mjaftueshme dhe çfarë ritmesh duhet të ketë ajo për ta çuar përpara ekonominë shqiptare?
Arben Ahmetaj: Një sqarim për momentin statistik të rritjes ekonomike. Ajo çka qytetarët shqiptarë duhet të dinë është se çfarë ka ndodhur pas ardhjes së qeverisë Rama në zyra. Dhe po ti marrësh të tre treumjorët, të tre tremujorët në vetvete me njëri-tjetrin janë në rritje. Tremujori i dytë i 2013-s është specifik sepse ka grumbullimin e 80% të investimeve publike në një tremujor, që ka dhënë atë rritje e cila është artificiale. Dhe ju do ta shikoni në vazhdimësi se si do të jenë shifrat e rritjes ekonomike dhe të krahasuara. Aty gjithashtu ka qenë momenti kur janë krijuar të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj biznesit. Krahasuar me periudhën tonë, ka një diferencë me minus 0.6%. Por, po të shohësh tremujorin e tretë të 2013-s, ka rënie 2.3%.
Zëri i Amerikës: Zoti Ahmetaj, ju faleminderit!