Organizata Ndërkombëtare e Migrimit dhe Instituti i Statistikave publikuan sot një studim për ri-integrimin e emigrantëve të kthyer në atdhe, sipas të cilit në 4 vitet e fundit janë kthyer në Shqipëri mbi 134 mijë persona, me një shpejtësi dy herë më të lartë se më parë.
Your browser doesn’t support HTML5
Studimi zbuloi se 94 për qind e tyre janë kthime vullnetare, 70 për qind nga Greqia dhe dhe 25 për qind nga Italia.
Shkaku kryesor i kthimeve në vendlindje janë arësyet ekonomike, papunësia dhe kriza ekonomike që mbërtheu vendet fqinje, ndërsa mosha mesatare e të kthyerve është midis 30-38 vjeç.
Anketa zbuloi se mbi 60 për qind e emigrantëve të kthyer shqiptarë janë vendosur në banesat e mëparshme të familjes së tyre, ndërsa 40 për qind të tjerë po jetojnë në aksin Tiranë-Durrës dhe në Vlorë.
Studimi nxori se pas 4 vjet emigrimi në itali apo 7 vjet jetë në Greqi, emigrantët e papunë shqiptarë shumica me arsim të mesëm, u kthyen në Shqipëri dhe pjesa më e madhe u vetëpunësuan në bujqësi dhe në biznese të vogla.
Pjesa dërrmuese e emigrantëve ishin shumë të varfër para largimit, por u përmirësua ndjeshëm në emigracion. Shumica e tyre kanë dërguar në familjet e tyre në Shqipëri mesatarisht 200-250 euro në muaj, ndonëse kjo ka rënë për shkak të krizës.
Sipas studimit, pjesa më e madhe e të kthyerve nuk ka kryer investime në Shqipëri, ose sepse nuk kanë fonde të mjaftueshme, ose se nuk kanë siguri.
Studiuesit zbuluan nga anketat se rreth gjysma e të kthyerve së bashku me familjet do të qëndrojnë në Shqipëri përgjithmonë, ndërsa një e treta janë të përkohshëm dhe se mendojë të emigrojnë përsëri.
Shqipëria e vuajti mjaft gjatë tranzicionit largimin masiv të popullatës në vende të tjera për jetesë më të mirë. Varfëria e vendit të tyre i shtyu rreth 1 milionë banorë drejt emigracionit, ku ndeshën vështirësi të reja, që në vendin e tyre nuk i kishin. Tani sipas të dhënave të fundit, përvec dërgesave mujore të parave, një pjesë e madhe e tyre janë kthyer po aq të pafuqishëm për mirëqenie dhe investime tek bizneset e vogla sa u nisën. Vetëm 8 % e të kthyerve ka arritur të realizojë një projekt investimi. Pjesa tjetër, nuk kanë projekt investimi dhe as kapitale për investime të vogla dhe vetëpunësim.