Kosova parashikon të arrijë një marrëveshje me Serbinë, gjë që do t’u mundësonte të dyja vendeve të përparonin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e shumta deri pranverën e ardhshme, tha të martën për agjencinë Reuters, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Një marrëveshje është parakusht për dy vendet që të hyjnë në Bashkimin Evropian. Beogradi dhe Prishtina u angazhuan për një dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013 por që atëherë nuk është arritur pothuajse asnjë përparim.
I pyetur se kur pret që të arrihet marrëveshja, zoti Hoxhaj i tha agjencisë Reuters: “Mendoj ose nga fundi i vitit, ose pranverën e ardhshme, duhet të kemi arritur në atë pikë”.
Duke folur në Bled të Sllovenisë ku ndodhej për një forum mbi politikën dhe biznesit, zoti Hoxhaj tha se Kosova do të nënshkruante vetëm një marrëveshje që përfshin njohjen e saj.
"Ne nuk mund të nënshkruajmë asnjë marrëveshje tjetër”, tha ai.
Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç "është njeriu i fundit që do të besonim”.
Por ai shprehu shpresën se besimi mund të ndërtohet gjatë procesit të negociatave, duke thënë se nuk ka asnjë njeri tjetër me të cilin të negociohet, pasi "ai kontrollon çdo gjë në Serbi”.
Zoti Hoxhaj tha se nuk mund të pohonte se çfarë do të përfshinte marrëveshja, por la të kuptohej se një shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është ende në tryezë.
"Se çfarë elementesh do të kishte marrëveshja, është herët të thuhet, sepse jemi në fazën e parë të negociatave”, tha zoti Hoxhaj për Reuters, duke mos dhënë detaje për territoret e mundshme që do të shkëmbeheshin.