110 milionë euro për 4 hidrocentrale

Kompania turke Kurum jep ofertën më të lartë. Në garë 7 kompani nga SHBA, Italia, Turqia, Bosnja, Greqia dhe Shqipëria. Vendimi për fituesin pas verifikimit të dokumentacionit
Në Shqipëri, shoqëria turke Kurum duket se është favorIte për blerjen e katër hidrocentraleve të vegjël, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 në jug të vendit dhe Shkopet e UlËz në veri. Në dy gara të zhvilluara vecmas e ku morën pjesë 7 kompani dhe konsorciume të huaja dhe vendase, Kurum dha sot ofertën më të lartë, me një total prej afër 110 milion euro. Vendimi përfundimtar për vlerësimin e ofertave do të merret në përfundim të verifikimit të dokumentacionit. Katër hidrocentralet kanë një kapacitet prodhues të barabartë me afër 5,3 përqind të totalit të prodhimit vendas

http://www.youtube.com/embed/5QQNGKZ8650

Procesi për privatizimin e katër hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2, si dhe ai i Shkopetit dhe Ulëzës ka nisur që në fundin e vitit të kaluar kur në parlament u paraqit dhe projektligji i vecantë që i shkëpuste ato nga pronësia e Korporatës energjitike. Deri më tani janë zhvilluar disa gara. Në qershor përpjekja e parë u anulua për shkak se ofertat e paraqitur ishin të ulta. Gara tjetër e parashikuar në gusht u shty sepse kompanitë e interesuara kërkuan më shumë kohë, ndërsa në shtator nuk pati asnjë ofertë.

Këtë herë hidrocentralet u paraqitën për shitje të grupuara, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 së bashku e po ashtu hidrocentrali i Shkopetit u ofrua së bashku me atë të Ulëzës. Interes më të madh pati për hidrocentralet Bistrica 1 dhe 2, ku u paraqitën 7 oferta nga kompani amerikane, turke, italiane, boshnjake, greke dhe shqiptare. Oferta më e lartë ishte ajo e kompanisë turke Kurum, prej 52 milion eurosh.Do të ishte sërish po kjo kompani që do të paraqiste ofertën më të lartë, prej 57,5 milion eurosh edhe për dy hidrocentralet e tjera, për të cilat në garë ishin 4 shoqëri.

Kurum është i pranishëm prej vitesh në Shqipëri, ku aktiviteti kryesor është ai hekurit dhe celikut duke riaktivizuar pjesë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Vitin e kaluar xhiroja vjetore e deklaruar llogaritej në 256 milion euro. Kurum ka aktivitet gjithashtu në portin e Durrësit, për ngarkim shkarkim, apo ofrimin e operacioneve logjistike. Ndërsa prodhon gjithashtu edhe oksigjen të cilin e përdor për nevojat e saj në uzinat e Elbasanit.

Kurum ngjan të jetë i favorizuari kryesor në garën për hidrocentraleve fale cmimit ndjeshëm më të lartë se konkurrentët e tjerë, megjithatë shpallja e fituesit do të bëhet në përfundim të procedurave të vlerësimit. "Komisioni do të tërhiqet për të vazhduar me vlerësimin e ofertave dhe verifikimin e dokumentacionit përkatës për secilën ofertë e për rrjedhojë edhe përpilimin e raportit përfundimtar", shpjegoi zevendesministri i Ekonomise Sokol Dervishaj..

Opozita nga ana e saj e ka kundërshtuar këtë privatizim duke e quajtur të pavend nxjerrjen në shtije të ndërmarrjeve të cilat janë fitimprurëse duke shtuar se me këtë akt do të rëndohej edhe më shumë situata financiare e Korporatës energjitike

Ndërkaq në ministrinë e ekonomisë vazhdon të mbetet pezull procesi i privatizimit të Albpetrolit, për shkak të mos paraqitjes së garancisë bankare nga konsorciumi Vetro Energy i shpallur fitues pas ofertës 850 milion euroshe. I kontrolluar nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci, konsorciumi deklaroi prej më shumë se një jave se e ka kryer pagesën, por ende pranë autoriteteve, sipas burimeve zyrtare, nuk ka mbërritur asgjë.