Hetimet për ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi

173 ligjvënës amerikanë janë deklaruar deri më tani në mbështetje të procesit hetimor për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi dje fillimin zyrtar të hetimeve nëse Presidenti Trump pati kërkuar ndihmën e një qeverie të huaj për rizgjedhjen e tij vitin e ardhshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, njofton për hapat më të fundit të legjislativit pasi u bë i ditur pretendimi i një informatori se Presidenti Trump i pati bërë presion Presidentit të Ukrainës për të hetuar familjen e rivalit të tij politik, Joe Biden.

Një pikë kthese për presidencën Trump...

“Dhoma e Përfaqësuesve do të fillojë një hetim zyrtar akuzash për shkarkim. I udhëzova gjashtë komisionet tona të vazhdojnë hetimet e tyre nën këtë ombrellë. Presidenti duhet të japë llogari. Askush nuk është mbi ligjin”, njoftoi Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Nancy Pelosi

Janë shtuar gjasat që Presidenti Trump të bëhet presidenti i katërt amerikan që përballet me procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin. Ai nuk mohoi se pati penguar asistencën e miratuar nga Kongresi për Ukrainën.

“Fondet u dërguan plotësisht. Unë jam ankuar gjithnjë më parë dhe do të vazhdoj të pezulloj fondet deri në momentin që Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë për Ukrainën; gjë që nuk e kanë bërë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump

Të dhënat e nxjerra nga një informator krijuan një valë ligjvënësish demokratë që njoftonin mbështetjen për procesin e shkarkimit të Presidentit nëpërmjet hetimit në Kongres.

“Nuk mund të vonohemi. Nuk mund të presim. Tani është koha të veprojmë”, deklaroi Ligjvënësi demokrat John Lewis.

Ligjëvënësi demokrat, John Lewis

Irritimi i tyre arriti kulmin pas muajsh debati mes demokratëve nëse veprimet e Presidentit përbënin bazë për shkarkim.

“Ka patur shumë akte flagrante, por asgjë nuk krahasohet me këtë. Presidenti po na thonë se ‘po, unë bashkëpunova me fuqi të huaja. E çfarë do të bëni juve?’,” tha Ligjvënësi demokrat Tom Malinowski.

Ligjëvënësi demokrat Tom Malinovski

Aleatët e Presidentit në Kongres thanë se lëvizja e zonjës Pelosi është vetëm çështje fjalësh.

“Nuk e vendos dot ajo e vetme nëse kemi filluar një hetim për shkarkim. Ato që tha sot nuk ndryshojnë asgjë në rrjedhën e ngjarjeve të deritanishme”, tha Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy

Megjithatë, republikanët në Senat i bashkuan votat me demokratët për të kërkuar bërjen publike të denoncimit të informatorit.

“Nëse Presidenti nuk bashkëpunon, por vazhdon të pengojë Kongresin dhe të shpërfillë ligjin, atëherë ai nuk do t’i lërë zgjidhje tjetër Kongresit përveç ngritjes së akuzave për shkarkimin. Kjo do të ishte një tragjedi, e shkaktuar nga vetë Presidenti”, tha Joe Biden, kandidat demokrat për president.

Joe Biden

Ligjvënësit demokratë thonë se kjo është një krizë e sigurisë kombëtare që duhet t’i shqetësojë të gjithë amerikanët, megjithëse shumica e tyre nuk e mbështesin procesin e shkarkimit.

“Nuk mendoj se Presidenti duhet të pengojë ndihmat për një vend, në mënyrë që të mbledhë informacione dëmtuese për kundërshtarët e tij. Kjo është anti-kushtetuese dhe ne kemi mundësinë tani ta bëjmë të qartë këtë gjë”, tha Ligjvënësja demokrate, Ilhan Omar.

Ligjvënësja demokrate Ilhan Omar

Komisionet e Kongresit që mbulojnë çështjet e zbulimit pritet të dëgjojnë këtë javë dëshminë e informatorit, ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve do të vijojë procedurat hetimore.