Këtë vit 1.5 milionë gra në të gjithë botën do të mësojnë nga mjeku i tyre se kanë kancer në gji. Ekspertët thonë se këto gra kanë 98 për qind shanse ta luftojnë me sukses sëmundjen nëse kanceri diagnostikohet në fazat e hershme. Po sipas ekspertëve, përqindjet më të larta të vdekjeve do të regjistrohen në vendet në zhvillim, ku kanceri i gjirit zakonisht nuk diagnostikohet deri në fazat më të avancuara të sëmundjes. Në kronikën në vazhdim diskutohen masat më të mira mbrojtëse nga kanceri i gjirit dhe mitet e shumta që shoqërojnë këtë sëmundje:
Kanceri i gjirit është shkaku numër dy mes sëmundjeve që rezultojnë në numrin më të lartë të vdekjeve ndër gratët amerikane. Po kështu, ky kancer është shkaktari kryesor i vdekjeve ndër gratë në Amerikën Latine.
Një studim i Universitetit të Harvardit tregon se më shumë se gjysma e 450 mijë personave që vdiqën vjet nga kanceri i gjirit, jetonin në vende në zhvillim. Megjithatë, ekspertët thonë se shumë nga këto vdekje mund të ishin parandaluar nëse sëmundja do të ishte diagnostikuar herët.
Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se 98 për qind e pacientëve me kancer në gji mbijetojnë kur kanceri diagnostikohet herët. Mamografia mbetet teknika më e mirë për kontroll kundër kancerit.
Dr. Laura Shephardson është eksperte e shëndetit të gruas në Klinikën e Klivlendit:
"Kur një gjëndër kanceroze në gji ka madhësi të dallueshme me dorë, zakonisht në këto raste kanceri është perhapur përtej gjirit. Synimi ynë është që përmes mamografisë të dallojmë gjëndrra të vogla kanceroze që ende nuk janë përhapur”.
Dr. Elmer Huerta në Qendrën Spitalore të Uashingtonit thotë se kontrollon shumë paciente hispanike. Ai thotë se shumë komunitete në vendet e Amerikës Latine nuk kanë pajisje për mamografi dhe mungon gjithashtu informacioni i nevojshëm për sëmundjen:
"Pra kur ke një ndërthurje të heshtur, duke qenë se mungon kontrolli i duhur shëndetësor për diagnostikim të hershëm, kur gratë e kuptojnë se kanë një problem, zakonisht tumori është i madh dhe ka krijuar metastaza. Pra ato shkojnë te specialist për mjekim kur është tepër vonë”.
Felicia Knaul, e cila drejton një program kërkimor për kancerin në Universitetin e Harvardit, thotë se gratë duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta për të zbuluar gjëndrra të dyshimta. Ajo shpjegon se synon gjithashtu të ulë koston e procedurave duke trajnuar personel vendor:
"Zhvillimi i një kontrolli të mirë klinik të gjirit, nuk kërkon mjek onkolog. Mjafton një person i trajnuar si duhet dhe trajnimi nuk është i vështirë”.
Dr. Shephardson thotë se gratë duhet të informohen. Kjo, shpjegon mjekja, kërkon prej tyre që të mos mbeten pre e miteve. Një nga mitet më të mëdha, thotë zonja Shephardson është ideja se çdo gjëndërr është kanceroze:
"Çdo gjendërr në gji mund të ketë plot shpjegime beninje, për shembull mund të jetë cist, apo rezultat i lëndimit të indit. Zakonisht gjëndrrat nuk dhëmbin, janë të forta dhe kanë kënde të parregullta”.
Dr. Shephardson thotë se shumë njerëz nuk e dinë se një ndër faktorët është historia e familjes. Statistikat tregojnë se gratë që kanë të afërm me kancer në gji, kanë më shumë shanse të preken edhe vetë nga sëmundja.
Disa njerëz mendojnë se kanceri i gjirit është ngjitës, por faktikisht nuk është. Po ashtu është fakt që edhe meshkujt mund të preken nga kjo sëmundje. Dr. Shephardson shton se nuk është e vërtetë që mamografia mund të shkaktojë përhapjen e kancerit si rezultat i rrezatimit:
"Pajisja e mamografisë lëshon rrezatim të ulët. Ka plot gjëra në jetën e përditshme që janë po aq të rrezikshme. Mendoj se rreziku që paraqet kjo pajisje është shumë më i vogël se përfitimet që sjell kontrolli përmes mamografisë”.
Megjithatë, kërcënimi më i madh nga kanceri i gjirit vjen nga natyra e heshtur e sëmundjes. Kanceri nuk shkakton dhimbje gjatë rritjes së gjëndrrave, një fakt që i çudit shumë njerëz.
Shumë ekspertë rekomandojnë që të gjitha gratët të fillojnë të bëjnë mamografi të rregullta në moshën 40 vjeç. Disa mjekë janë të mendimit që femrat që në moshën 20 vjeç duhet të bëjnë kontrolle klinike për kancer në gji.