Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn i cili ndodhet në Shkup, ku mori pjesë në një konferencë të ministrave ballkanik, tha se Maqedonia ka nevojë urgjente për formimin e një qeverie të re, me një bazë të gjerë. Por ai tha se Komisioni Evropian nuk u sugjeron partive politike se si të veprojnë dhe se është përgjegjësi e drejtuesve të atjeshëm politikë për vendimet mbi të ardhmen e vendit. Komisioneri po takon kryetarët e disa partive politike në Maqedoni.
Your browser doesn’t support HTML5
Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn erdhi në Shkup në një kohë kur kriza politike duket se po shtohet për shkak të pamundësisë për formimin e qeverisë. Por, qëllimi parësor i Komisionerit ishte pjesëmarrja në një takim të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në lidhje me çështjet e efikasitetit dhe zhvillimit energjetik në rajon.
Komisioneri ndërkaq, po takon drejtuesit e partive politike për t’u njohur me pikëpamjet e tyre në lidhje me qeverinë e re, e cila duhet të formohet bazuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Ai tha në një konferencë për mjetet e informimit se vendi ka nevojë të shpejtë për një qeveri, e cila do të përballej me sfida të ekonomisë, sigurisë, të mundësive për bashkëpunim rajonal:
“Është me rëndësi që qeveria e re të ngritet mbi një bazë të gjerë dhe solide dhe të ndjekë perspektivat evropiane”, tha komisioneri duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk i jep këshilla asnjë pale se si të veprojë, por çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vetë mbi vendimet që do të marrë”, - theksoi ai.
“Sa më parë të formohet një qeveri, aq më mirë do të ishte, vendimet demokratike duhet të respektohen nga të gjitha partitë politike”, - tha komisioneri Hahn.
Një qeveri e gjerë në Shkup nënkupton pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare në pushtetin ekzektutiv, apo një kabinet i përkohshëm qeveritar, i cili do ta çonte sërish vendin në zgjedhje të reja parlamentare.
Zoti Hahn zhvillon takime të ndara me Nikolla Gruevskin, kryetar i VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev, i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmetin e BDI-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa, Zijadin Selën e Aleancës për shqiptarët, ndërsa në mëngjes bisedoi me kryeministrin në largim të Maqedonisë Emil Dimitriev.
Ndërkohë, në konferencën e ministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor që po zhvillohet në Shkup u nënshkrua një marrëveshje për financimin e projekteve energjetike me një vlerë prej 50 milionë Eurosh, nga e cila do të përfitojnë Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja. Marrëveshjen e nënshkruan përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim.