Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm.
Dhoma e Apelit e Mekanizmit që trashëgoi Gjykatën për Krime Luftë në Hapësirat e ish Jugosllavisë, hodhi poshtë ankesat e tij dhe e dënoi me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të zakoneve të luftës.
Your browser doesn’t support HTML5
Radovan Karaxhiç, që shpallur fajtor në vitin 2016 për për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ai qe dënuar atëbotë me 40 vjet heqje lirie.
Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës, që synonte vrasjen e "të gjithë burrave të aftë për luftë" dhe shfarosjen e komunitetit mysliman boshnjak në atë zonë në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe e morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur "zonë e sigurt" nga Kombet e Bashkuara.
Radovan Karaxhiç u dënua për përndjekje, shfarosje, deportim, zhvendosje të dhunshme dhe vrasje - por u lirua na akuza për gjenocid lidhur me një fushatë për të përzënë myslimanët boshnjakë dhe kroatët nga fshatrat e pushtuara nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1992- 1995.
Radovan Karaxhiçi, ishte zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e Bosnjës, në të cilën u vranë mbi 100 mijë veta.
Radovan Karaxhiç qe arrestuar në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje.
Ish psikiatri 73 vjeçar, ende në gjendje të mirë shëndetësore, që dikur drejtonte të vetëshpallurën Republikë e Serbëve të Bosnjës, mbante titullin e komandantit suprem të forcave të saj të armatosura.
I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, cili vdiq në Hagë në vitin 2006, para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.
Ratko Mladiç, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, u dënua ne vitin 2017 me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ratko Mladiçi u dënua për vrasjen e mbi 8 mijë burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.
Ish oficer i ushtrisë jugosllave, Ratko Mladiç, mori komandën e trupave të serbëve të Bosnjës në vitin 1992 të cilat u bën përgjegjëse për mizori përfshirë vrasjet, përdhunimet masive e përndjekjet madje edhe në praninë e mijëra trupave të Kombeve të Bashkuara.
Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër forcave serbe dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.
Ratko Mladiç, kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.
Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.