Haga shqyrton akuzat për të përshpejtuar çështjen Mlladiç

  • Zëri Amerikës

Haga shqyrton akuzat për të përshpejtuar çështjen Mlladiç

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës ka njoftuar se po shqyrton mundësinë e heqjes së disa akuzave nga akt-padia ndaj ish-udhëheqësit ushtarak të serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiç, për ta përshpejtuar çështjen. Serzh Bramertz tha sot se ekipi i tij i palës akuzuese po përpiqet të gjejë mënyra për ta përshpejtuar gjyqin, si rezultat i shqetësimeve për shëndetin e Mlladiçit. Javën e kaluar, gjykatësit e hodhën poshtë kërkesën e zotit Bramertz për t’i ndarë akuzat në dy akt-padi të ndryshme. Ai reagoi duke thënë se nuk do ta apelonte vendimin.

Kryeprokurori donte fillimisht ta gjykonte 69-vjeçarin Mlladiç për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës dhe më pas për krimet e tjera gjatë luftës së Bosnjes gjatë viteve 1992-1995. Zoti Bramertz ka argumentuar se dy procese të shkurtra gjyqësore do të ishin më efiçente se sa një proces i tejzgjatur, por gjykatësit nuk ishin të një mendjeje me të.

Ratko Mlladiç u arrestua në maj dhe u ekstradua në Gjykatën e Hagës pas 16 vjetësh në arrati.