Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, i përbërë nga 25 vende që kanë njohur pavarësinë e saj, mblidhet sot në Vjenë të Austrisë për të diskutuar shkallën e përmbushjes së planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të marrë pjesë në takim, shpreson se sot do të diskutohet për hapat e mëtejmë drejt përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë pohojnë se Kosova ka bërë përparime në zbatimin e planit të zotit Ahtisaarit, ndonëse ende mbeten disa çështje të hapura siç është krijimi i komunës veriore të Mitrovicës dhe disa çështje të trashëgimisë kulturore. Parlamenti i Kosovës i ka dhënë një mandat shtesë komisionit për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës për të mundësuar përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur brenda këtij viti.
Kosova shpalli pavarësinë ne shkurt të vitit 2008 ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë Pieter Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë.
Por, pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia, me të cilën Kosova, është duke zhvilluar një seri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Gjatë ditëve në vijim pritet që ndërmjetësuesi evropian Robert Cooper, të qëndrojë në Beograd dhe në Prishtinë për të caktuar datën e takimit të ri të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja inkurajon vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, i kanë inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë sa më parë bisedimet. Në takimin e djeshëm në Bruksel, diplomatët evropian thanë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash me Kosovën dhe të jetë konstruktive në gjetjen e zgjidhjes për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo duhet të përmbushë këto kushte para se Bashkimi Evropian të diskutojë në fund të muajit shkurt për mundësinë që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Serbia dështoi në dhjetor të vitit 2011 të marrë këtë status për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku vazhdon bllokimi i rrugëve nga serbët lokal që nuk pranojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar për 14 dhe 15 shkurt një referendum, në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës.
Ky referendum i cili cilësohet i paligjshëm e i pavlefshëm nga Prishtina, është kundërshtuar edhe nga presidenti i Serbisë, Boris Tadic. Ai tha referendumi mund të jetë i dëmshëm për Serbinë dhe përpjekjet për mbrojtjen e interesave të saj në Kosovë. Presidenti serb tash ka hedhur në takimet ndërkombëtare një plan katër pikësh për Kosovën i cili nënkupton një zgjidhje të posaçme për veriun e Kosovës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të manastireve ortodokse, mbrojtjen e pronës dhe garancitë për sigurinë e serbëve në enklava.
Ky plan që është hedhur poshtë nga Prishtina, është parë me simpati nga disa diplomatë perëndimorë, të cilët pohojnë se të katër pikat e propozuara janë një shenjë e mirë që tregon gatishmërinë e Serbisë p