Greva paralizon portin e naftës pranë Marsejës

  • Rudina Dervishi

Greva paralizon portin e naftës pranë Marsejës

Një grevë e madhe ka paralizuar operacionet në portin kryesor francez të importit të naftës, pranë qytetit të Marsejës.
Autoritetet e portit thonë se punëtorët e terminalit Fos-Lavera për naftën kanë bllokuar futjen në port për të tetën ditë radhazi, duke mos lejuar shkarkimin e dhjetëra cisternave detare.


Sindikatat e punonjësve të portit e organizuan grevën në shenjë proteste kundër reformave që do të çonin në privatizimin e operacioneve të shkarkimit. Punonjësit kërkojnë gjithashtu kontrata që u garantojnë vendin e punës, duke zhvilluar demonstrata që përkojnë me protesta mbarë-kombëtare kundër reformave në sistemin e pensioneve.


Fos-Lavera është terminali i tretë më i madh në botë për naftën, pas Hjustonit në Shtetet e Bashkuara dhe Roterdamit në Holandë.
Sindikatat franceze kanë në plan të organizojnë greva të tjera javën e ardhshme kundër planeve qeveritare për të rritur moshën e pensionit nga 60 në 62 vjeç. Qeveria thotë se ndryshimet janë të domosdoshme pasi sistemi i pensioneve është zhytur në deficit të papranueshëm.