Greqia ka në plan ta shtyjë kufirin perëndimor të ujërave territorialë në Detin Jon deri në 12 milje detare, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis të mërkurën.
Kryeministri konservator grek tha se një projektligj për këtë çështje do t’i paraqitet shumë shpejt parlamentit.
"Greqia do t’i shtrijë ujërat e saj territoriale perëndimore nga 6 në 12 milje detare," u tha zoti Mitsotakis ligjvënësve gjatë një debati, që lidhej me çështjen nëse parlamenti do të ratifikojë një marrëveshje të kohëve të fundit për kufijtë detarë midis Greqisë dhe Italisë.
Zoti Mitsotakis tha gjjthashtu se ministri i jashtëm grek Nikos Dendias kishte biseduar për këtë vendim me homologun e tij italian dhe atë shqiptar.
Ai tha se ministri Dendias do të shkojë në Tiranë për bisedime me homologun e tij shqiptar për demarkacionin e kufijve detarë midis dy vendeve fqinje, një projekt për të cilin është debatuar gjatë viteve të fundit.
Nga ana tjetër, Greqia dhe Italia nënshkruan në qershor një marrëveshje për kufijtë detarë, duke krijuar një zonë ekskluzive ekonomike dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra për të drejtat e peshkimit në Detin Jon.
Në parlamentin grek është gjithashtu në proces një marrëveshje detare me Egjiptin dhe ligjvënësit pritet të votojnë për të dyja marrëveshjet të enjten.
Në anën lindore të Greqisë, Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina do të ishte një shkak për luftë.
Dy vendet janë në mosmarrëveshje lidhur me zgjatjen e shelfit kontinental dhe kufijve të tyre detarë.