Greqi, protestojnë pensionistët

Qindra pensionistë grekë u përleshën me policinë në Athinë, para se të marshonin për në zyrat e Bashkimit Evropian në kryeqytetin grek për të protestuar kundër shkurtimit të pagave në bazë të një programi të ri masash shtrënguese.

Duke hedhur parulla kundër masave shtrënguese, rreth 300 pensionistë u mblodhën paqësisht jashtë ndërtesës dhe dogjën një flamur të Bashkimit Evropian.

Para kësaj, ata dogjën dy flamuj të BE-së përpara parlamentit grek.

"Ata po na marrin jetën. Po përpiqen haptazi të na hedhin në greminë," thotë Dimos Kumburis, kreu i një sindikate pensionistësh:

"Ata nuk kanë nevojë për ne, sepse kapitali ka nevojë vetëm për ata që prodhojnë me çmim të lirë. Tek ne ata shohin koston e plakjes dhe një shpenzim të vazhdueshëm. Ne nuk do t’u bëjmë asnjë lëshim".

Greqia e paralizuar nga borxhi mbështetet në kreditë ndërkombëtare të shpëtimit, që i janë dhënë në këmbim të masave për të reduktuar deficitin e madh buxhetor.

Prej më shumë se një muaji, Athina po negocion me kreditorët mbi një paketë të re kursimesh me vlerë 13.5 miliard euro gjatë dy viteve të ardhshme.

Pa u arritur një marrëveshje, Greqia nuk do ta merrte dot këstin e shumë-pritur të kredisë, dhe pa atë këst qeveria do të mbetej pa fonde muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, ministrat e financave të Bashkimit Evropian ndodhen në Luksemburg për të shqyrtuar krizën e borxhit përpara se udhëheqësit e Bashkimit të zhvillojnë takimin e tyre të nivelit të lartë këtë muaj.

Mbledhja e sotme në Luksemburg përfshin diskutime mbi propozimet rreth buxhetit të Greqisë.