Greqi, shoferët e kamionëve përsëri në grevë

  • Zëri Amerikës

Trafiku u bllokua për orë të tëra sot rreth kryeqytetit grek, ku kamionistët rreshtuan automjetet e tyre si protestë ndaj rregullave të reja të punës. Policia tha se automjetet u detyruan të hynin në kryeqytetin grek duke kaluar nga rrugë të tjera më të gjata.

Protestusit parkuan qindra kamionë në daljet e autostradave që të çojnë në Greqinë veriore dhe në Peloponez.

Ndërkohë që përfaqësuesit e kamionistëve diskutonin mbi hapat e mëtejshme, policia paralajmëroi se nuk do të lejonte një autokolonë proteste të hynte në pjesën qendrore të kryeqytetit.

Gjatë javës së kaluar, kamionistët kanë protestuar kundër planeve të qeverisë socialiste greke për të hequr kontrollet e rrepta mbi liçencat për kamionistët, si pjesë e një fushate për t’u dhënë fund të ashtuquajturave profesione të mbyllura.

Në klimën e shqetësimeve për mungesa të reja të furnizimit me karburant, kamionistët formuan rradhë të gjata në stacionet e benzinës. Protesta të ngjashme në muajin korrik pothuajse e paralizuan vendin për shkak të mungesës së benzinës. Parlamenti pritet të votojë nesër mbi ligjin për kamionistët.