Autoritetet greke çaktivizojnë një pako-bombë drejtuar ambasadës franceze

  • Zëri Amerikës

Autoritetet greke çaktivizojnë një pako-bombë drejtuar ambasadës franceze

Autoritetet në Greqi çaktivizuan një kuti postare bombë, që i ishte dërguar ambasadës franceze në Athinë. Sipas zyrtarëve pakoja postare përmbante sasi të vogla lëndësh shpërthyese.

Greqia pezulloi dje të gjitha dërgesat e pakove postare, pas zbulimit të letrave bombë drejtuar kryeministrit të Italisë Berluskoni, presidentit të Francës Sarkozi dhe kancelares gjermane Merkel. Letrat bombë duket se janë dërguar nga një grup i ekstremit të majtë në Greqi.

Nga letrat dhe pakot e dërguara udhëheqësve perëndimorë, ambasadave perëndimore në Greqi dhe institucioneve evropiane, tre kanë shpërthyer dhe kanë plagosur lehtë një person. Të tjerat janë kapur dhe çaktivizuar. Autoritet thonë se nuk ka lidhje mes letrave bombë të Greqisë dhe pakos bombë që Al Qaida në Jemen u përpoq të dërgonte në Shtetet e Bashkuara.