Greqia, përpjekje për të pakësuar borxhin

Greqia po ofron të shpenzojë 13 miliardë dollarë për të riblerë bonot e thesarit nga kreditorët privatë, me shpresën për të pakësuar borxhin e madh që ka vendi.

Qeveria e Athinës tha sot se do të përpiqet të riblejë 39 miliardë dollarë nga borxhi, pasi investitorët t’i shesin letrat e tyre me një vlerë pak më tepër se çmimi i tyre aktual në tregjet financiare ndërkombëtare, por shumë më pak se sa vlera që ato do të kishin, në se do t’i kishin mbajtur letrat me vlerë deri sa ato të maturoheshin.

Greqia i dha afat deri të premten kreditorëve, që të vendosin në se duan të arrijnë një marrëveshje. Aktualisht, bonot e thesarit të Greqisë shiten me rreth çerekun e vlerës dhe investitorët mund të marrin deri në 40 për qind të vlerës së tyre në se e pranojnë ofertën e Greqisë.

Athina thotë se shpreson ta pakësojë borxhin me 26 miliardë dollarë nga shitja e bonove të thesarit.