Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Deputetët nuk kanë imunitet nga ndjekja penale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Deputetët nuk kanë imunitet nga ndjekja penale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sqaroi sot se deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk kanë imunitet për veprimet jashtë fushëveprimit të tyre. Gjykata publikoi sot opinionin e saj në bazë të një kërkesë të qeverisë së Kosovës të bërë më 20 korrik lidhur me imunitetin e deputetëve të Parlamentit, presidentit dhe anëtarëve të qeverisë së Kosovës. Në vendimin e publikuar sot pasdite, Gjykata shpjegon se të gjithë këta gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse.

Në vendim thuhet mes tjerash se “deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë”.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës vendosi t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Vendimi pasoi debatet që nxiti çështja e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj, i cili akuzohet tashmë për krime lufte.

Më 26 korrik një prokuror i EULEX-it, kishte ngritur një aktakuzë kundër zotit Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që sic thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Në muajin mars, prokurorët e EULEX-it lëshuan një urdhër arresti për deputetin Limaj, i cili gjatë luftës ishte një nga komandantët kryesor të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimi i tij është pamundësuar për shkak të imunitetit, i cili ndërkaq nuk i pengon hetimet.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Sot, ndërkaq, prokurorët e EULEX-it kanë marrë në pyetje zotin Limaj në kuadër të hetimeve të filluara në prill të muajit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit e cila atëbotë drejtohej nga zoti Limaj. Marrja ne pyetje pritet të vazhdojë edhe nesër.