Gjirokastër, “Detyrim paraqitjeje” dhe pezullim për prokurorin

Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi masën e “detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "pezullimin e ushtrimit të detyrës" për Prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli.

Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se prokurori Çoçoli dyshohet për "korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".

Për këtë hetim autoritetet kanë arrestuar, pas vendimit të gjykatës, shtetasit Ervin Hysaj dhe Ernest Duro, të dyshuar për "korrupsion aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryer në bashkepunim me njëri tjetrin".

Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se është duke kryer hetime ne lidhje me një çështje të regjistruar në janar të këtij viti, kur Prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli ishte shoqëruar në polici, por ndaj tij nuk ishin dhënë masa shtrënguese.

Hetimet një javë më parë ndaj tij nuk kishin arritur të provonin dyshimet për korrupsion ndërkohë që zyrtarët e Krimeve të Rënda kishin kontrolluar zyrën e Prokurorit dhe kishin bërë shoqërimin për verifikim disa orë në polici.