Trafiku i lëndëve narkotike në Jug të Shqipërisë është kompleks dhe prodhon hera herës dukuri të reja. Ndërsa pjesa dërrmuese e lëndëve narkotike, të kultivuara kryesisht në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, përfundon në Greqi, kohët e fundit sasi të narkotikëve po destinohen gjithnjë e më shumë drejt qyteteve të Shqipërisë.
Policia e Gjirokastrës ka bllokuar së fundi grupe të rinjsh me sasi të vogla të lëndëve narkotike që transportoheshin drejt Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës. Në një nga rastet e shënuara së fundi policia është përballur edhe me kërcënim të jetës së efektivave të saj, pasi një grup të rinjsh kanë thyer forcërisht një pikë kontrolli policore me automjetin me të cilin transportonin lëndën narkotike.
Hetimet paraprake të policisë së Gjirokastërs të rasteve të fundit kanë provuar se lënda narkotike synohej të futej nëpër shkolla në këto tre qytete. Policia ka gjetur madje sasi të vogla të paketuara dhe në bashkëpunim me policitë e këtyre zonave po heton edhe përmasat e kësaj dukurie në shkollat në disa qytete të vendit.
Policia po sheh gjithnjë e me shqetësim së pari implikimin e të rinjve në këtë trafik të lëndëve narkotike dhe së dyti destinacionin e ri të lëndës narkotike: nxënësit dhe studentët shqiptarë.
Ligji shqiptar përfshin ndëshkime të ashpra për trafikun e lëndëve narkotike por edhe për kultivimin dhe mbajtjen e tyre. Statistikat gjyqësore të dy viteve të fundit të personave të dënuar për këtë vepër penale flasin se pjesa dërmuese e të dënuarve të gjetur fajtorë kanë qenë nga 25 vjeç në 35 vjeç.
Gjatë gjithë vitit të shkuar forcat policore të Drejtorisë së Gjirokastërs që përfshin edhe Përmetin dhe Tepelenën u përfshinë në një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi me rininë shkollore dhe atë studentore si në qytete dhe në zonat rurale. Fushata përfshiu si parandalimin e përdorimit edhe ndërgjegjësimin për të mos kultivur bimën narkotike. Nisur edhe nga rastet e fundit Policia ka kërkuar një mbështetje më të madhe nga institucionet arsimore dhe ato universitare.