Zgjedhjet në Gjermani dhe marrëdhëniet me SHBA

Gjermanët votuan më 22 shtator 2013 për të zgjedhur qeverinë e re. Bashkimi Kristian Demokrat i Kancelares Angela Merkel fitoi shumicën e votave. Analistët flasin për ndikimin e këtyre zgjedhjeve për aleancën e vendit me Shtetet e Bashkuara. Por disa gjermanë janë të shqetësuar se fokusimi i Shteteve të Bashkuara në Azi, do të ndikonte negativisht për vendin e tyre dhe për gjithë Evropën.

Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Uashington, anëtari i parlamentit gjerman, Hans-Ulrich Klose tha se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po e kthejnë vemendjen nga Azia, Bashkimit Evropian do t’i duhet të bëjë më shumë përpjekje për të zgjidhur problemet e veta ekonomike dhe politike.

“Deri tani, evropianët kanë patur një standard të mirë jetese, me bindjen se nëse ka probleme në periferi të saj, ose në jug apo lindje, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme jo vetëm të ndihmojnë, por edhe të marrin rolin udhëheqës për të kapërcyer vështirësitë”.

Klose tha se interesi i Shteteve të Bashkuara në Azi mund të dobësojë tregtinë trasatlanitke, që përbën rreth gjysmën e tregtisë globale. Por Klaus Larres, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Karolinës së Veriut, thotë se Evropa nuk ka arsye të shqetësohet.

“Vetë evropianët po shikojnë gjithmonë e më tepër drejt Kinës dhe në përgjithësi drejt Azisë për të shitur prodhimet e tyre. Ne e dimë gjithashtu se industria e sukseshme gjermane e eksporteve nuk do të ishte aq e sukseshme pa eksprotuar në Kinë, në Azi, Indi apo Brazil dhe vende të tjera”.

Por analistët thonë se evropianët duhet t’i kushtojnë më shumë vemendje asaj që po ndodh rreth tyre.

“Kjo është diçka me rëndësi që duhet kuptuar, sepse fqinjët tanë janë Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme që ne e quajnë Lindja e Afërme pasi është shumë pranë nesh. Çfarë ndodh atje është për ne e rëndësishme dhe natyrisht ne jemi të interesuar për atë që po ndodh”.

Si ekonomia më e fortë e Evropës, pritet që Gjermania të udhëheqë politikën e jashtme të kontinentit. Larres thotë se politikanët gjermanë, përfshirë zonjën Merkel, kanë ngurruar të marrin rolin udhëheqës politik dhe ushtarak në Evropë, për shkak të së kaluarës naziste të vendit.

"Shumë njerëz i kanë bërë thirrje asaj që të mbajë një fjalim të rëndësishëm vizionar pro evropian. Por më kot do të prisnim sepse ndoshta ajo vetë nuk e ka këtë lloj entuzuasmi dhe së dyti, ajo nuk dëshiron të largojë asnjë pjesë të audiencës që nuk do ta pëlqente atë lloj fjalimi”.

Por analistët thonë se gjermanët nuk e kanë problem që të marrin rolin udhëheqës të ekonomisë në Evropë. Zonja Merkel nuk ka treguar asnjë ngurrim për marrjen e masave jo popullore për të shpëtuar monedhën e përbashkët evropiane.

Larres thotë se shumica e politikanëve gjermanë besojnë thellësisht në një Evropë të fortë dhe të bashkuar, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se të dy vendet do të përfitonin nga zgjerimi i lidhjeve me Azinë.