Gjergji Vurmo: Shqipëria vuan pasojat e mungesës së mekanizmave të balancës dhe kontrollit

  • Keida Kostreci

Gjergji Vurmo, autor i kapitullit për Shqipërinë në raportin Vendet në Tranzicion 2020, bën një analizë të faktorëve që sollën rënien në nivelin e demokracisë në Shqipëri. Zoti Vurmo, drejtor projekti i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, thotë se elitave u intereson konfliktualiteti që të mbrojnë interesat e tyre. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai bën një analizë të gjendjes politike në vend.

Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion” të Freedom House, Shqipëria shënon ulje përsa i takon nivelit të demokracisë. A mund të na shpjegoni kontekstin dhe çfarë do të thotë kjë rënie për Shqipërinë.

Gjergji Vurmo: Fatkeqësisht kemi dy përkeqësime: dimensioni i qeverisjes vendore dhe dimensionit të zgjedhjeve demokratike. Përkeqësimi i të dy dimensioneve lidhet në thelb me një mungesë të vazhdueshme të mekanizmave të kontrollit të balancës dhe të pushteteve në Shqipëri, një problematikë të vazhdueshme dhe të vetë klimës politike në Shqipëri që vazhdon të mbetet konfliktuale. Të dyja përkeqësimet janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Të dyja këto dimensione kanë çuar në një ulje në notën e demokracisë shqiptare. Gjatë vitit të kaluar, në fillimin e 2019-ës kemi pasur një krizë politike, që filloi me dorëheqjen e opozitës parlamentare nga mandatet. Ky ishte një veprim i paprecedent i cili u injorua fillimisht, por vazhdoi të degradojë më tej situatën politike dhe në gjysmën e dytë të vitit të shkuar arritëm në përmasat jo të një krize të thjeshtë politike por besoj se kemi arritur në përmasat e përplasjeve institucionale të cilat sigurisht buruan nga kriza politike e fillim-vitit të 2019-ës.

Të dyja janë të ndërlidhura. Fakti që të dyja palët politike, opozita dhe qeveria, vazhduan me një gjuhë mjaft të ashpër ndaj njëra-tjetrës, dhe nuk arritën të gjenin konsensusin për të tejkaluar atë situatë.

Arritëm në gjysmën e vitit, ku u zhvilluan zgjedhjet lokale me bojkotin e opozitës dhe ishte pikërisht ky fakt që i uli pikë dimensionit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Sipas raportit preliminar të OSBE-ODIHR-it, votuesit shqiptarë u lanë praktikisht pa një mundësi zgjedhjeje.

E gjithë situata politike përfshiu më tej edhe institucionin e presidentit dhe nga ai moment u shënuan një sërë përplasjesh institucionale duke filluar mes presidentit, parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas kemi procedurën për shkarkimin e presidentit dhe rreth fundit të vitit të shkuar, kemi edhe përplasjet mes presidentit, parlamentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese.

Të gjitha këto përplasje institucionale, do të thoja vijnë për herë të parë në realitetin shqiptar dhe kanë qenë arsyet kryesore për përkeqësimin e dy dimensioneve, edhe të zgjedhjeve, edhe të qeverisjes demokratike.

Zëri i Amerikës: Konkretisht të gjitha këto përplasje institucionale dhe këto fraktura të zinxhirit të demokracisë, çfarë nënkuptojnë për pjekurinë e klasës politike, ndërkohë që kanë kaluar tre dekada nga përmbysja e komunizmit?

Gjergji Vurmo: Unë personalisht besoj se ne po përjetojmë thjesht pasojat dhe atë pikun e pasojave të mundshme të cilat shumëkush i ka paralajmëruar që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese. Kanë qenë pikërisht ato ndryshime që kanë prekur në thelb mekanizmat e balancave dhe kontrollit të pushteteve, kanë prekur në thelb pavarësinë, funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të kontrollit, monitoruese, kanë bërë që me një qasje, fituesi i fiton të gjitha. Kanë sjellë maxhoranca parlamentare të cilat mund të bënin praktikisht gjithçka dhe për më tepër për shkak fatkeqësisht edhe të mungesës së Gjykatës Kushtetuese në dy vjet e gjysëm të fundit, opozita parlamentare në fillim të vitit të shkuar u përball praktikisht me një situatë ku ata realisht nuk mund të korrigjonin dot qeverisjen. Është pikërisht ai moment i cili edhe në raportin e publikuar sot, flitet për pamundësinë e parlamenteve në vende të ndryshme të Ballkanit por edhe më gjerë, siç është Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera për të korrigjuar qeverisjen dhe të mbetur pa alternativa, opozitat në këto vende kanë vendosur t’i drejtohen bojkotit.

Zëri i Amerikës: Si do t’i përgjigjeshit argumentit që mund të jepte shumica, që “unë i fitova zgjedhjet dhe shpreh vullnetin e popullit”?

Gjergji Vurmo: Pavarësisht kësaj situate me të cilën u përball opozita vitin e shkuar, unë personalisht mendoj se do të ishte më mirë qëndrimi brenda institucioneve. Pyetja që ju bëni lidhet ngushtësisht me kulturën demokratike. Ka shumë aspekte të kulturës demokratike jo vetëm të institucioneve, por edhe të shoqërive, njerëzve, qytetarëve të cilat nuk mund të normohen me ligj dhe nuk mund të normohen as me argumente të tipit “unë i fitova zgjedhjet dhe unë mund të bëj çfarë të dua në katër vitet e ardhshme”. Janë pikërisht këto arsye të cilat kanë shtyrë demokracitë liberale të ndërtojnë mekanizmat e kontrollit të balancës dhe pushteteve. Është pikërisht kjo arsyeja e ekzistencës së institucioneve të pavarura të cilat mbrojnë edhe kushtetueshmërinë dhe pritshmërinë dhe performancën e institucioneve dhe të pushteteve.

Por mbi të gjitha do të thoja se është gati-gati e pamundur që një shumicë parlamentare të mendojë ta ndërmarrë, pa iu drejtuar atyre normave të kulturës bazë demokratike. Ne po përballemi me një situatë kur nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese.

Unë do të thoja që një shumicë parlamentare e përgjegjshme do të tentonte patjetër të kalonte ligje jo me procedura të përshpejtuara, do të kalonte ligje që të ishin të konsultuara sa më gjerë dhe kjo jo vetëm me opozitën parlamentare, por edhe me grupet e interesit, edhe me grupe të qytetarëve. Pra do të tentonte të ndërmerrte çdo hap dhe t’i jepte çdo mundësi atij projekt-ligji për të mos cënuar në asnjë rast integritetin e procedurës ashtu si edhe integritetin e përmbajtjes së atyre ligjeve, jo më pak edhe për shkak të arsyes se vendi gjatë dy viteve të shkuara dhe aktualisht është pa një gjykatë kushtetuese.

Parlamenti shqiptar mesatarisht në pesë vitet e fundit ka miratuar midis 250-280 akteve ligjore në vit, që do të thotë nëse i përpjestojmë me një numër mesatar të ditëve të punës në vit, miratimi i një akti ligjor, ose i një amendimi ligjor është bërë mesatarisht brenda gjysmë dite, ëka do të thotë që brenda gjysmë ditë ajo shumicë parlamentare ka futur projektin për procedurë parlamentare, e ka disktuar së brendshmi në komisione, e ka konsultuar me grupe të ndryshme interesi, e ka miruatuar në seancë plenare. Është e tepërt të them që gjysmë dite për të miratuar, konsultuar dhe ezauruar në mënyrë sa më të plotë dhe me sa më shumë integritet proçedurat parlamentare për miratimin e ligjit, gjysmë dite është gati-gati qesharake.

Zëri i Amerikës: Në raport megjithëse analizohen ngjarjet e vitit të kaluar, përmendet edhe fakti që pandemia e koronavirusit, mund të ndikojë më tutje në gërryerjen e demokracisë. Çfarë rreziku paraqet një situatë e tillë për Shqipërinë?

Gjergji Vurmo: Tre-katër muajt e fundit për fat të keq Shqipëria është përballur me situata emergjence të cilat kanë sjellë edhe shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe një ulje të rolit të kuvendit, të parlamentit në vend. Në një situatë emergjence, do të thoja është mëse e kuptueshme. Kjo është jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të Ballkanit, të Evropës dhe të botës. Në shumë vende të rajonit dhe të Evropës, kjo situatë emergjence është shfytëzuar për fat të keq për të gllabëruar më shumë pushtet. Në rastin e Shqipërisë përveç disa rasteve të debatueshme siç ishin ndryshimet e Kodit Penal me procedurë të përshpejtuar, apo ndonjë akt tjetër, besoj se qeverisja në këto dy-tre muaj nuk ka shfaqur tendenca aq problematike sa ç’mund të kenë shfaqur në Poloni, Hungari apo Serbi.

Thënë kjo, situata në Shqipëri ka qenë problematike që më herët. Po të shohim korrupsionin, apo lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pavarësisht se raporti Nations in Transit nuk vë re as ndonjë ulje, as ndonjë përmirësim i këtyre dimensioneve, raporti gjithsesi i analizon në detaje zhvillime problematike lidhur me këto dimensione. Korrupsioni për shembull prej vitesh ka qenë në nivele shumë të këqija në raportin Nations in Transit, madje në nivelet e regjimeve gjysmëautoritare.

Zëri i Amerikës: Në fakt Shqipëria është në të njëjtën kategori, të regjimeve hibride. A mund të bëhet argumenti që ka edhe më keq?

Gjergji Vurmo: Po, patjetër, ka edhe më keq, ashtu siç ka edhe më mirë, Problemi është se pas 30 vjetësh tranzicion shqiptarët janë të lodhur me argumentin që ka gjithmonë më keq ashtu siç edhe standardi me të cilin shqiptarët krahasojnë ambiciet e tyre, nuk është më ai i para pesë viteve, apo i para 10 viteve, apo aq më pak para 15-20 viteve. Nuk është standardi i një shteti që shqiptarët do donin ta shihnin.

Thjesht fakti që në Shqipëri shumica e të rinjve do të donin të linin vendin e tyre, thjesht për shkak të faktit se ata nuk shohin më asnjë shpresë në mundësinë që Shqipëria të shndërrohet thelbësisht dhe rrënjësisht në një demokraci funksionale, do të thoja që është një fakt ulëritës.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se i bën të gjitha palët e politikës në Shqipëri të zgjedhin konfliktualitetin dhe jo të punojë në favor të zgjidhjeve për t’u shërbyer qytetarëve që i kanë votuar?

Gjergji Vurmo: Mendoj se është ai konfliktualitet i cili u nevojitet elitave të tilla të papërgjegjshme politike jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera. Është pikërisht konfliktualiteti politik ai që zhvendos vëmendjen nga problematika të tjera akoma më të mëdha. Ne për shembull pas dy-tre muajsh do të na duhet të duartrokasim marrëveshjen mes shumicës dhe opozitës brenda dhe jashtë parlamentare lidhur me reformën elektorale. Por a do të jetë kjo reformë elektorale një përgjigje për sfidën më të madhe të vendit që është rikthimi në balancë i atyre mekanizmave të kontrollit, të balancës së pushteteve, që është ajo që u nevojitet shqiptarëve. A do të jetë ajo një përgjigje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri, apo fundit të korrupsionit të lartë. Dyshoj që do të jetë.