Koalicioni qeverisës i Angela Merkelit pëson një rënie tjetër në zgjedhje

Për herë të dytë brenda një muaji, votuesit në zgjedhjet rajonale në Gjermani i dhanë një goditje koalicionit qeverisës të kancelares Angela Merkel, duke konfirmuar më tej se peizazhi politik në vend po transformohet me shpejtësi.

Shumë nga votuesit në zgjedhjet rajonale në shtetin Hesse braktisën Kristian Demokratët e zonjës Merkel dhe partnerin e vogël në qeverinë e saj të Berlinit, Social Demokratët (SPD).

Pas një humbjeje të thellë të mbështetjes në zgjedhje të koalicionit qeverisës në Bavari më parë këtë muaj, humbja në Hesse, ku partia e Gjelbër përfitoi më shumë, doli pyetja nëse kjo rënie do të rezultojë në fundin Angela Merkel si kancelare.

"Sigurisht, ne në partinë Kristian Demokrate (CDU) nuk jemi të lumtur. Ne kemi nevojë për një kulturë të re pune në koalicionin qeverisës dhe në një rigjenerim të Kristian Demokratëve ", tha Annegret Kamp-Karrenbauer, sekretare e përgjithshme e CDU-së.

Presioni nga ana e Partisë Kristian-demokrate, ishte në rritje ndaj zonjës Merkel para të dielës, me kritikët e brendshëm që thonin se Angela Merkel nuk duhet të qëndrojë për rizgjedhje si udhëheqëse koalicionit CDU në zgjedhjet partiake të planifikuara për në dhjetor.

CDU-ja e zonjës Merkel doli fituesi kryesor i votave në Hesse, një shtet i begatë, ku koalicioni CDU ka mbizotëruar për dy dekada, të dielën pritej të siguronte vetëm 27% të votave - më shumë se 10 përqind më pak se në zgjedhjet pesë vjet më parë. Sipas sondazheve para numërimit të plotë të votave, social-demokratët pritet të humbasin deri në 11 përqind nga numri i mëparshëm dhe të sigurojnë rreth 20 përqind të votave.

Zgjedhjet e së dielës po shtojnë fragmentimin e politikës gjermane, dëshmi e përhapjes së vazhdueshme të krizës së emigracionit të vitit 2015. Këto zgjedhje konfirmojnë se partitë e dikurshme kryesore të vendit janë në rënie dhe shihen nga një grup i elektoratit se nuk i përfaqëson ata në mënyrë të mjaftueshme. Në Hesse, pjesa e votave për partinë e të Gjelbërve u rrit nga 8 përqind në 20 përqind; dhe Alternativa e të Djathtës ekstreme, AfD, mësohet të ketë siguruar 12 përqind të votave.

Votimi në shtetin Hesse tregon se si Gjermania është bërë "politikisht e kapur dhe e fragmentuar me qendrën e saj politike, e njohur përgjithësisht si Volksparteien, duke u rrënuar", thotë Frederick Kempe, president i fondacionit të Këshillit Atlantik, në Uashington.

E njohur nga disa si "Zonja e Hekurt" e politikës gjermane, Angela Merkel është gjithnjë e më e shqetësuar dhe përkrahësit e saj më besnikë nuk ishin të bindur se ajo do të ishte në gjendje ta çonte deri në fund mandatin e saj zgjedhor që mbyllet në vitin 2021.

Që nga ecuria e dobët e koalicionit së saj në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, zonja Merkel ka qenë e shqetësuar nga një krizë pas tjetrës. Muajin e kaluar ajo humbi zëvëndësin e saj kryesor parlamentar, Volker Kauder, kur ky u rrëzua nga ligjvënësit e pakënaqur të koalicionit. Aleanca e madhe e zonjës Merkel ka ardhur afër shpërbërjes lidhur me çështjet e emigracionit dhe të një skandalit që përfshin shefin e spiunazhit të vendit.

Zgjedhjet e së dielës ka të ngjarë të kenë pasoja të gjera duke shtuar presion të mëtejshëm mbi të gjithë partnerët në qeverinë kombëtare të kancelares Merkel për të vlerësuar qëndrueshmërinë e një koalicioni që nuk u sjell asnjë të mirë zgjedhore.

Një e treta e anëtarëve të SPD-së ishin kundër hyrjes në koalicionin e zonjës Merkelit pas zgjedhjeve federale të vitit të kaluar.

"Gjendja e koalicionit qeverisës nuk është e pranueshme", tha kreu i SPD-së, Andrea Nahles para anëtarëve të partisë të dielën pasi u njoftuan rezultatet.

Problemi për partitë tradicionale është se si të ndalin fragmentimin e zgjedhjeve, ndërsa themelet e qendrës së politikës gjermane po zhduken. Edhe garda e vjetër politike e Gjermanisë po çahet, ndërsa mundohet të ndalë problemin e menjëhershëm të zonjës Merkel për të mbajtur të paprekur qeverinë e saj të brishtë të koalicionit, e formuar në mars pas katër muajsh bisedimesh të ashpra.

"Ku ka humbje, duhet të ketë pasoja", tha Helge Braun, shefi i stafit të kancelares Merkel, duke folur për radion publike gjermane, ARD. Por ai nuk dha hollësira mbi pasojat.

Rezultati i dobët në votimet në Hesse, për koalicionin qeverisës është diçka e shënuar duke pasur parasysh begatinë e këtij shteti. Votuesit që dilnin nga qendrat e votimit shprehën pakënaqësi të thellë mbi gjendjen e koalicionit kombëtar të zonjës Merkel dhe u ankuan për grindjet e brendshme të vazhdueshme.

Të dielën, guvernatori konservator i shtetit Hesse, Volker Bouffier u tha mbështetësve: "Mesazhi këtë mbrëmje ndaj partive në qeverinë në Berlin është i qartë: njerëzit duan më pak argumente, më shumë objektivitet, më shumë zgjidhje".

Votimi në Hesse konfirmon thirrjen në rritje zgjedhore të partisë së Gjelbër. Kreu i kësaj partije në Hesse, Tarek Al-Wazir, prindërit e të cilit janë nga Jemeni, tha para votimit se kushdo që dëshironte të dërgonte një mesazh refuzimi për AfD-në e ekstremit të djathtë ata "nuk mund të bënin më keq se të votonin për një parti të udhëhequr nga dikush si unë."

Të Gjelbrit dolën të dytët në zgjedhjet e Bavarisë më parë këtë muaj.