Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi të martën qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke nënvizuar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët tjera të rajonit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, i cili po ashtu tha se një ndryshim kufijsh në Kosovë mund të ketë pasoja për pjesët tjera të rajonit.
Kancelarja Merkel kishte biseduar të hënën me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje. Ajo tha të martën se "i mbështesin përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".
"I mbështesim të gjitha bisedimet për një zgjidhje e cila ka parasysh tërësinë tokësore, e cila e tillë siç është sot është një vlerë e rëndësishme. Këtë e kam theksuar edhe në takimet e mëhershme me kryeministrin e Bosnjës dhe kryeministrin e Malit të Zi se duhet kujdes që lëvizjet në një territor të mos çojnë në lëvizje në territore tjera, tha kancelarja Merkel, e cila edhe më herët gjatë këtij muaji është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.
Aktualisht janë shtuar debatet rreth rrugëve të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.
Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.
Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Ai edhe të martën hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës duke mbrojtur idenë e tij për bashkimin e luginës së Preshevës.
Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cilësoi të martën të gabueshme debatet për ndryshim kufijsh në bisedimet me Serbinë.
"Më herët kemi shpjeguar në një retorikë të Beogradit, e cila thotë se duhet të marr veriun, ndoshta një kundër-retorikë e Kosovës ka logjikë, që thotë se ne e duam Nishin, Preshevën apo dikë tjetër. Ndërsa, qëndrimi i qeverisë dhe i imi është ky: e synojmë një marrëveshje ligjore obligative mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke Kosovë - Serbi. Kufijtë, territori nuk janë temë e diskutimit. Nuk ka mandat askush i Kosovës që t'i diskutojë këto. Mendoj se ajo që po thotë presidenti është në nivel të retorikës ose kundër-retorikës. Shpresoj që është ashtu, nëse është ndryshe, atëherë kemi problem serioz në Kosovë", tha kryeministri Haradinaj.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demkratike të Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi në facebook se partitë opozitare synojnë që më 4 shtator të mbahet një seancë e jashtëzakonshme ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet "i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës".
Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.