Forca ajrore amerikane thotë se dy avionë bombardues B-1B me bazë në Guam, të shoqëruar nga avionë luftarakë nga Koreja e Jugut dhe Japonia, fluturuan dje pranë gadishullit Korean në kuadër të manovrave ushtarake në këtë rajon.
Forca ajrore tha se bombarduesit nuk ishin nisur si përgjigje ndaj ndonjë incidenti.
Agjencia shtetërore koreanoveriore e lajmeve KCNA reagoi me kritika ndaj manovrave, duke i quajtur ato “prova për sulm bërthamor”.
Manovrat u zhvilluan një ditë para se Presidenti Donald Trump të nisej për një turne aziatik.
Hera e fundit kur avionët luftarakë amerikanë morën pjesë në manovra të ngjashme ishte më 10 tetor, kur Presidenti Trump u takua me zyrtarë të mbrojtjes për të diskutuar mbi përgjigjen që i duhej dhënë kërcënimeve nga Koreja e Veriut.