Në raportin e saj të përvitshëm të publikuar të martën, organizata Freedom House me qendër në SHBA, flet për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë vitit 2016 dhe sfidat për të ardhmen. Më poshtë, një përmbledhje e raportit:
"Gjatë vitit 2016, Shqipëria ishte në udhëkryq; asaj i duhej të zgjidhte nëse do të vazhdonte trashëgiminë historike të korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo do të bënte një shkëputje rrënjësore dhe do t’i përgjigjej aspiratave të popullit për një shtet që plotëson standardet e Bashkimit Evropian.
Më 22 korrik, pas 18 muajsh pune intensive teknike dhe negociatash të tensionuara politike, parlamenti miratoi njëzëri një seri ndryshimesh kushtetuese ambicioze për reformën gjyqësore.
Ndryshimet, dhe ligjet përkatëse të miratuara në gjysmën e dytë të vitit, synonin frenimin e korrupsionit, krimit të organizuar, dhe ndërhyrjeve politike tek gjyqësori. Konsensusi politik për amendamentet u arrit pas një trysnie të madhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Zbatimi i reformave do të jetë një sfidë e vërtetë për udhëheqësit e ndarë të vendit.
Pavarësisht bastisjeve dhe goditjeve policore, financierët dhe trafikantët arritën të shtojnë plantacionet e kanabisit në të gjithë vendin, duke përfituar nga varfëria e fermerëve dhe korrupsioni i zyrtarëve të shtetit. Problemi duket se i ka rrënjët thellë në ekonominë e dobët të vendit, në papunësinë e të rinjve dhe në korrupsionin e përhapur.
Për këtë arsye, goditja e kultivimit të kanabisit do të kërkojë masa komplekse dhe të vendosura, si në vështrimin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, masa të cilat shkojnë përtej akuzave joproduktive që shkëmbehen mes së majtës dhe së djathtës politike.
Në përgjithësi, Shqipëria ka ende një rekord të dobët përsa i përket hetimit, identifikimit, ndjekjes dhe dënimit të figurave kyçe në trafikimin e drogës dhe aktivitetet e tjera të krimit të organizuar. Ligji për “dekriminalizimin" i miratuar në fund të vitit 2015 ka patur rezultate të vogla në largimin e zyrtarëve të inkriminuar dhe ende nuk i ka dhënë goditje problemit të infiltrimit të shtetit nga krimi i organizuar.
Komisioni parlamentar ad hoc për reformën zgjedhore ka dështuar prej më shumë se një viti për të hartuar një Kod Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare.
Shqetësimet e vjetra elektorale, si akuzat për blerje votash, trysnia mbi votuesit, dhe dhuna u përsëritën në dy zgjedhje lokale në komunat e Dibrës dhe të Kolonjës, të mbajtura përkatësisht në shtator dhe nëntor. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë planifikuar për në 18 qershor 2017 dhe do të jenë një provë e rëndësishme për ligjin e dekriminalizimit të miratuar në dhjetor 2015.
Kushtet e pasigurta të punës për gazetarët në Shqipëri i kanë lënë ata të pambrojtur ndaj presionit nga interesat politike dhe private. Ndërkohë që media ka luajtur një rol vendimtar në ekspozimin e korrupsionit dhe të krimit, dorëheqjet e detyruara të një numri gazetarësh flasin për problemin e vazhdueshëm të trysnisë politike mbi mediat.
Në një aspekt më pozitiv, grupet dhe aktivistët e shoqërisë civile shfaqën gjallëri dhe organizim në rritje si dhe angazhim në shprehjen e shqetësimeve të tyre lidhur me çështje të ndryshme shoqërore dhe politike, të tilla si ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e Valbonës dhe Vjosës apo importi i mbetjeve për industrinë e riciklimit.
Ata ushtruan trysni mbi politikën dhe vendimmarrësit nëpërmjet takimeve, peticioneve, padive gjyqësore dhe protestave paqësore. Edhe pse vetëm pak prej këtyre nismave sollë rezultate konkrete në vitin 2016, ata treguan angazhim qytetar në qeverisje dhe u dhanë zë shqetësimeve të qytetarëve."