Fratini: Evropa rrezikohet prej një eksodi masiv nga Libia

  • Zëri Amerikës

Fratini: Evropa rrezikohet prej një eksodi masiv nga Libia

Trazirat në Afrikën e Veriut kanë zgjuar shqetësime në Evropë për një valë të pakontrolluar imigrantësh të paligjshëm që largohen për t’i shpëtuar dhunës. Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini shprehet se nëse sistemi politik në Libi bie, një eksod masiv prej afro 300 mijë libianësh mund të dyndet drejt brigjeve të Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së. Këto vende po përpiqen të identifikojnë masa të përbashkëta në përgatitje për këtë skenar:

Shumë pak informacion del nga Libia por ministri i jashtëm italian, Frattini beson se rreth 1 mijë vetë janë vrarë nga dhuna. Organizata Human Rights Watch ka përllogaritur se janë vrarë mbi 200 vetë, por grupet opozitare thonë se shifra është shumë më e lartë.

Ministri Frattini thotë se situata në Libi është aq e rëndë sa ka arritur përmasat e një lufte civile:

“Të nderuar kolegë. Kemi përballë një situatë tepër serioze që është rënduar më tepër nga këmbëngulja që Gadafi shprehu përmes fjalimit të tij dje, nga gatishmëria për të shtypur me dhunë popullatën, duke provokuar një situatë që në disa zona ka marrë përmasat e luftës civile ku banda të armatosura dhe skuadrat e vdekjes kanë marrë ligjin në dorë dhe rezultantja tragjike do të jetë një kasaphanë”.

Shqetësimi kryesor i ministrit të jashtëm italian është se kjo gjendje do të nxisë me mijëra libianë të kërkojnë strehim në Evropë, ku Italia është ndër destinacionet e tyre më të afërta. Ai shprehet se rreth 350 mijë imigrantë libianë mund të futen në Evropë nga kjo gjendje. Afro një e treta e popullsisë së Libisë janë imigrantë nga Afrika nën-sahariane, të cilët mund të kërkojnë strehim në vendet e BE-së nëse bie regjimi i Gadafit:

“Edhe në qoftë se 10-15 për qind e këtyre 2 milionë vetëve e mendojnë idenë e arratisjes drejt veriut, për në Qipro, Maltë, Greqi apo Itali, do të bëhej fjalë për 300 mijë deri në 350 mijë vetë, shpresa e vetme e të cilëve është të mbërrijnë nga deti Bashkimin Evropian. Italia nuk mund ta përballojë e vetme këtë situatë. E gjithë Evropa duhet të përgatitet për të”.

Ministrat e brendshëm të Italisë, Qipros, Francës, Greqisë, Maltës dhe Spanjës po diskutojnë daljen me një politikë të përbashkët në përgjigje të trazirave në Afrikën e Veriut që t’ia paraqesin si rekomandim Komisionit Evropian.