Francë, fillon takimi i grupit të tetë vendeve më të industralizuara

  • Zëri Amerikës

Francë, fillon takimi i grupit të tetë vendeve më të industralizuara

Takimi i grupit të tetë vendeve më të industralizuara filloi punimet në Francë, ku udhëheqësit e ekonomive më të fuqishme të botës po diskutojnë mbi çështjet globale, përfshirë rebelimet kudo në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Presidenti Barak Obama po e përdor takimin për të përsëritur thirrjen që të ndihmohen vendet e këtij rajoni në zbatimin e reformave politike dhe ekonomike.

Një nga këshilltarët ekonomikë të presidentit, David Lipton, u tha gazetarëve sot se Shtetet e Bashkuara i cilësojnë diskutimet mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, si “një nga temat më të rëndësishme” që duhen shqyrtuar në këtë takim.

Ai tha se udhëheqësit e G8-ës do të fillojnë bisedime sonte gjatë darkës, ndërsa nesër në mëngjes do të kenë takime me kryeministrat e Egjiptit dhe Tunizisë si dhe kryetarin e Lidhjes Arabe. Ai tha se udhëheqësit e G8-ës do të kenë rastin të diskutojnë me tre përfaqësuesit e rajonit mbi planet dhe aspiratat e tyre për ndryshime, dhe mënyrën se si mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar.

Zoti Obama shpjegoi javën e kaluar në një fjalim të rëndësishëm mënyrat se si Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështejtje ekonomike për Egjiptin, Tunizinë dhe vende të tjera në tranzicion.

Dje, Bashkimi Evropian tha se do të rrit ndihmën për 16 vende në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, vendet e ish Bashkimit Sovjetik dhe se ndihma do të lidhet me progresin e këtyre vendeve drejt demokracisë.

Tema tjera që do të diskutohen në takimin G8-së këtë javë përfshijnë krizën bërthamore në Japoni dhe ekonominë e botës.