Qeveria franceze pro ndërhyrjes në Siri

  • Henry Ridgewell
Ligjvënësit në Francë të mërkurën debatuan mbi pjesëmarrjen e vendit në një sulm ndaj Sirisë të udhëhequr Shtetet e Bashkuara, pas njoftimeve të shërbimeve franceze të zbulimit se Presidenti sirian Bashar al-Assad ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet.

Shërbimet franceze dhe amerikane të zbulimit thonë se kanë prova që tregojnë se forcat e Bashar al-Asadit kanë përdorur armë kimike muajin e kaluar në një sulm mbi zonat e kontrolluara nga rebelët në periferi të Damaskut, duke vrarë më shumë se një mijë njerëz.

Qeveria siriane i ka mohuar njoftimet për përdorimin e armëve kimike.

Në një debat urgjent të Asamblesë Kombëtare, Kryeministri francez Jean-Marc Ayrault paraqiti arsyet e qeverisë për mbështetjen e një sulmi ushtarak ndaj Sirisë.

"Mosveprimi do të vinte në rrezik paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin dhe më gjërë, përfshirë sigurinë tonë. Çfarë kredibiliteti do të kenë angazhimet tona ndërkombëtare kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë armët bërthamore nëse ne nuk veprojmë?"

Qeveria franceze ka bërë publike dokumentet e saj sekrete mbi provat e përdorimit të armëve kimike në Siri të cilat tani janë botuar në gazeta. Ky ishte një veprim i qëllimshëm i qeverisë, thotë Fransua Heisbourg i Fondacionit për Kërkime Strategjike me bazë në Paris.

"Një nga qëllimet kryesore është përgjigja e pyetjes se çka ka ndodhur dhe kush e ka bërë. Por ekziston edhe një qëllim tjetër, francezët duan t’i tregojnë popullit se ata kishin aftësinë për të formuar opinionin e tyre në lidhje me atë që ka ndodhur duke përdorur shërbimin e vet kombëtar të zbulimit."

Franca ka një interes të veçantë në konfliktin sirian, thotë David Cadier i grupit IDEAS në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës.

"Për Francën Siria nuk është thjeshtë vetëm një vend tjetër. Siria është në zonën e saj historike të interesit gjeopolitik".

Franca ka kontrolluar Sirinë, Libanin dhe vende të tjera arabe deri në vitin 1943.
Në janar, Franca dërgoi 4 mijë trupa në Mali për të larguar rebelët islamikë nga veriu i vendit. Duke marrë parasysh zgjedhjen e një presidenti të ri muajin e kaluar në Mali, ndërhyrja shihet si një sukses dhe ka trimëruar Francën, thotë analisti David Cadier.

"Natyrisht, operacioni në Mali ishte mjaft i suksesshëm. Në fillim të këtij operacioni, shumë ekspertë ishin të shqetësuar rreth pasojave të tij sepse rajoni Sahel është i paqëndrueshëm, ashtu siç është padyshim edhe Lindja e Afërt."

Presidenti francez, Francois Hollande e ka bërë të qartë se ai nuk do të veprojë pa Shtetet e Bashkuara.

Me votimin e parlamentit britanik kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri, lidhjet franko-amerikane po forcohen, thotë David Cadier.

"Franca e ka kuptuar se aleanca trans-atlantike duhet të forcohet. Dhe për ta forcuar këtë aleancë, ata duhet të demonstrojnë se kanë një lloj kapaciteti, duke përfshirë kapacitetin ushtarak."

Presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar Kongresit të autorizojë sulmet ushtarake kundër Sirisë.

Analistët thonë se presidenti francez, Francois Hollande është nën presion gjithnjë e më të madh për të ndjekur veprimet e Uashingtonit dhe Londrës, pra për të lejuar ligjvënësit të votojnë për veprimet ushtarake në Siri.