Uragani Dorian është intensifikuar në stuhi të kategorisë së rrezikshme 5 duke goditur të dielën ishujt Bahamas.
Ai pritet të sjellë atje deri në dy ditë rreshje shiu të dendur, dallgë të larta dhe erëra të rrezikshme përpara se t’i drejtohet territorit të SHBA.
Qendra Kombëtare e Uraganëve në Majemi tha se Dorian po sjell erëra me shpejtësi maksimale prej 260 km në orë dhe se stuhia është një kërcënim për jetën që mund të shkaktojë shkatërrime.
Pasi të ketë kaluar mbi ishujt Bahamas, uragani pritet të devijojë drejt veriperëndimit dhe mund të mos e godasë drejtpërsëdrejti Floridën.
Komunitetet më në veri, në Georgia dhe Karolinën e Jugut e ngritën nivelin e alarmit për banorët, të cilët po përgatiten, duke mbushur thasë me rërë, ndërkohë që autoritetet po testojnë infrastrukturën.
Megjithëse uragani Dorian duket se ua kurseu Shteteve të Bashkuara një goditje të drejtpërdrejtë, zyrtarët thonë se një stuhi e kësaj kategorie mund të sjellë mjaft dëme në Florida dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut.