FMN pranon të mbikëqyrë Kosovën, por ndërpret qasjen në fonde

FMN pranon të mbikëqyrë Kosovën, por ndërpret qasjen në fonde

Në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi, tha sot se qeveria e tij ka arritur një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtarë për vëzhgimin e politikave ekonomike të Kosovës për vitin 2011. Pajtimi, sipas tij, pasoi bisedime të vështira, meqë Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte njoftuar ndërprerjen e një programi të miratuar në korrik të vitit 2010, që synonte qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Por ky pajtim, që sipas kryeministrit Thaçi ka siguruar vazhdimin e mbështetjes së Fondit Monetar për qeverinë e Kosovës, nuk ka siguruar qasje në mbështetjen e premtuar financiare prej 156 milion eurosh nga Fondi monetar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, nëpërmjet një komunikate në faqen e internetit ka njoftuar se në vitin 2011 është ndërprerë marrëveshja e arritur në korrik të vitit të kaluar që kishte për qëllim “të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare duke ushtruar kufizime në shpenzime dhe duke rritur depozitat e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës. Elemente të buxhetit të vitit 2011, në veçanti rritja e madhe e pagave, kanë devijuar nga programi. Si rezultat, nuk do të përfundojë rishikimi i programit. Gjatë këtij misioni, personeli i Fondit dhe autoritetet (në Prishtinë) kanë arritur një marrëveshje mbi Programin e Monitorimit të Personelit, sipas të cilit do të krijohet një mekanizëm përcjellës, që mund të çojë në një marrëveshje të mbështetur nga FMN-ja më 2012".

Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja për vëzhgim të politikave ekonomike pasoi një periudhë bisedimesh të vështira me Fondin Monetar Ndërkombëtarë.

“Si rezultat i këtyre diskutimeve, është arritur pajtimi për një program të monitoruar nga stafi i FMN-së, lidhur me një pako masash të politikave që do të monitorohen nga FMN deri në fund të vitit 2011. Këto politika kanë për qëllim kryesor ruajtjen e mëtutjeshme të qëndrueshmërisë fiskale dhe menaxhimin e ekzekutimin më të fuqishëm të buxhetit. Zbatimi i suksesshëm i këtij programi gjatë këtij viti do të mundësojë vazhdimin e mbështetjes dhe asistencës nga FMN dhe donatorët tjerë”, tha kryeministri Thaçi.

Mospajtimet ndërmjet qeverisë dhe FMN-së, ishin rrjedhojë e siç është thënë, mospërmbushjes së kritereve nga marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar nga ana e qeverisë së Kosovës, në veçanti vendimi i njëanshëm i saj për rritjen e pagave për shërbyesit civilë. Një vit me parë qeveria e Kosovës ishte dakorduar me Fondin Monetar që pagat në sektorin publik të rriten për 7-8 për qind, por ato shënuan një rritje mesatare prej 30 për qindësh në fillim të këtij viti. Kjo kishte nxitur shumë reagime edhe të opozitës e cila ka shfaqur drojën se veprimet e tilla mund të qojnë në thellimin e krizës ekonomike në vend.

Shqetësime kanë ngritur edhe ekspertët e ekonomisë. Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike amerikane, Lekë Musa, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se moszbatimi i marrëveshjes do të ketë pasoja për ardhmërinë ekonomike të Kosovës.

“Në kohën kur globalisht çështjet e disiplinës fiskale vështrohen në mënyrë të thuktë nga institucionet e ndryshme, qeveria e Kosovës në këtë moment kur dëshiron që të ndërtojë një shtet stabil, ka dërguar një sinjal jo aq të mirë se ka një synim për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe një vend të qëndrueshëm nga aspekti fiskal dhe monetar”, tha zoti Musa.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtarja e 186-të e këtij fondi dhe Bankës Botërore që ishte cilësuar si një nga sukseset e mëdha të shtetit të ri pavarësia e të cilit kundërshtohet edhe më tej ashpër nga Serbia dhe aleatët e saj.