FMN përsëri në Tiranë, borxhi publik - temë kryesore diskutimi

FMN përsëri në Tiranë, borxhi publik - temë kryesore diskutimi

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, deklaroi sot se Shqipëria “duhet të kërkojë rrugë të tjera për rritjen ekonomike nga ato që janë shfrytëzuar deri tani”. Guvernatori Fullani tha në një konferencë të organizuar nga Universiteti i Oxfordit me bankat e vendeve të Ballkanit se reformat strukturore dhe privatizimi i bankave kanë sjellë zhvillim ekonomik. Sipas tij, inflacioni është nën kontroll, dhe treguesit kryesorë janë të qëndrueshëm, por politikat e qëndrueshme fiskale nuk mjaftojnë që të sjellin qëndrueshmëri makro-ekonomike.

“Modeli aktual i rritjes nuk garanton qëndrueshmëri dhe duhet të nxitet debati për të bërë reforma të reja jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë social. Rrjedhimisht, rritja ekonomike duhet të kërkohet në treguesit e tjerë të rritjes siç janë: përmirësim i klimës së biznesit, duhet të rritet konkurrueshmëria, duhet të vazhdojë reformat strukturore të tregjeve, politika aktive makro-prudenciale në të gjithë sektorët e ekonomisë si dhe faktorë të tjerë” - tha zoti Fullani.

Guvernatori Fullani i bëri këto komente ndërkohë që një mision i FMN po diskuton me zyrtarët e ekonomisë për politikat fiskale, administrimin e borxhit publik dhe deficitit buxhetor. Jozyrtarisht mësohet se misioni i FMN u ka kërkuar deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë që të japin ndihmesën për të frenuar rritjen e borxhit dhe të ruajnë deficitin buxhetor në nivelin vjetor të parashikuar.

Përfaqësuesit e misionit janë takuar veçmas me deputetët e maxhorancës dhe me ata të opozitës, por shqetësimi ka qenë i njëjtë; niveli shqetësues i borxhit publik prej 59 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), të cilin FMN e ka kritikuar. Edhe në vizitat e mëparshme FMN ka kërkuar që kjo shifër të ulet. FMN po kërkon politika fiskale dhe buxhetore më konservatore; pra, jo ulje taksash, jo rritje shpenzimesh, jo rritje pagash e pensionesh, të cilat e rritin deficitin buxhetor. FMN rekomandoi shkurtim të disa shpenzimeve që nuk mbulohen nga të ardhurat e buxhetit. FMN mësohet jozyrtarisht se nuk është në favor të rritjes së pagave në nivelin e parashikuar nga qeveria, sepse pesë muajt e parë të vitit janë me deficit të ardhurash.

Misioni i FMN e mbyll nesër këtë vizitë të radhës në Shqipëri me një konferencë ku do të japë përfundimet dhe propozimet mbi politikat ekonomike të qeverisë dhe rishikimin e buxhetit. Tashmë është bërë e zakonshme që misioni i FMN vjen në qershor, kur rishikohet buxheti, dhe me këtë rast diskuton me zyrtarët shqiptarë edhe perspektivat ekonomike dhe projektet ekonomike.